Sherri mes tifozëve të Tiranës dhe Vllaznisë, policia shoqëron

“Plagosja e lehtë me dashje”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Shkatërrimi i pronës” janë disa nga akuzat, të cilat rëndojnë mbi tifozët e Vllaznisë dhe Tiranës, të cilët kthyen në një “ring” ditën e djeshme rrugën e Kombit.
Një ditë pas incidentit mes tifozëve të dy skuadrave, policia tregon se ka arrestuar 8 persona, ndërsa për 20 të tjerë ka nisur procedimi penal. Me anë të një njoftimi zyrtar, policia sqaron se në total u shoqëruan në komisariat plot 106 tifozë të të dyja skuadrave.
Vllaznia humbi 0-1 ndaj Tiranës, në takimin e luajtur në Kukës. Pas sfidës, kanë qenë mbështetësit e Vllaznisë që kanë sulmuar tifozët e Tiranës në zonën e Repsit.
Një prej lojtarëve të Shkodrës pasi zbriti nga autobusi, filloi duke ofenduar mbështetësit e skuadrës kryeqytetase. Më pas, situata u acarua, duke kaluar në gjuajtjen e sendeve të forta dhe përleshja mes palëve u bë e pashmangshme.