Sherri në play-out, 102 javë pezullim për lojtarët
Komisioni i Disiplinës përdor “dorën e hekurt” për dhunën masive në fund të ndeshjes Kastrioti-Lushnja. Në total janë dhënë 102 javë pezullime për 11 futbollistë, pjesa më e madhe e të cilëve militojnë me skuadrën myzeqare. Përballja e luajtur në “Qemal Stafa”, e cila ishte e vlefshme për “play-out” në Kategorinë Superiore, përfundoi me fitoren 1-0 të krutanëve. Skuadra e Ramazan Ndreut arriti të siguronte qëndrimin mes më të mirëve të futbollit shqiptar, falë një goli të Abazajt, por gjatë gjithë ndeshjes lushnjarët kanë shfaqur shenja nervozizmi, duke kontestuar ashpër vendimet e gjyqtarit Albano Janku. Në fund të 90-minutëshit, poshtë tribunës qendrore ku skuadra e Kastriotit po festonin me tifozët e tyre, situata ka dalë jashtë kontrollit. Pas replikave dhe ofendimeve në distancë, ndërmjet futbollistëve të ekipit fitues dhe atyre të Lushnjës ka shpërthyer një sherr masiv. Policia ka tentuar të qetësojë situatën, por kjo është arritur me vështirësi, pasi “lagunarët” e shndërruan zhgënjimin për disfatën në dhunë.
Mes 11 lojtarëve të penalizuar, vetëm 3 prej tyre janë pjesë e Kastriotit. Bëhet fjalë për Erald Turdiun, Ylli Shametin dhe Renaldo Kalarin, të cilët janë pezulluar për dhjetë ndeshje nga të gjitha aktivitetet. Futbollistët që kanë marrë të njëjtën masë disiplinore nga Lushnja janë kapiteni Gentian çela, Mikel Kaloshi, Erion Sula, Andrea Kule, Griseld Dervishi e Erind Dhima. Përveç pezullimit të gjatë, i cili nuk do t’i lejojë të luajnë thuajse gjatë gjithë fazës së parë të kampionatit të ardhshëm, këta lojtarë janë gjobitur edhe me nga 100 mijë lekë të reja secili. Ndërkohë, dy prej elementëve kryesorë të Lushnjës, Dorian Bubeqi dhe Alban Byzhyti kanë marrë dënime më të “lehta”: për ofendimet dhe pështymat ndaj arbitrave ata u pezulluan me nga gjashtë ndeshje dhe gjobiten me 50 mijë lekë. Disiplinori i FSHF-së ka gjobitur me një shifër të konsiderueshme Kamzën, për hedhjen e sendeve të forta, ofendimin e gjyqtarëve dhe dëmtimin e stadiumit. Përveç gjobës prej 560 mijë lekësh të reja, ky klub duhet të paguajë edhe dëmet e shkaktuara në stadiumin “Ruzhdi Bizhuta” të Elbasanit.
#