E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri para masakrës, dëshmitari: Gjithçka për një femër, arrestohen pronarët e resortit

VLORE- Policia e Vlorës arreston dy pronarët e resortit turistik në Vlorë, ku pasditen e së dielës u shënua vrasja e trefishtë. Saimir dhe Servet Qamo 25 dhe 54-vjeç , pronarë të resorit turistik në zonën e Kalasë pranë Ujit të Ftohtë, akuzohen për ‘moskallëzim krimi’. 

"Në vijimësi të hetimeve të kryera në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 28.07.2013 në plazhin e quajtur “KALAJA” ku mbetën të vrarë 3 persona, Grupi Hetimor i ngritur posacërisht për këtë ngjarje ka bërë arrestimin në flagrancë edhe të shtetasve: Saimir Hiqmet Qamo, 25-vjec dhe Servet Hajredin Qamo, 54-vjec, të dy banues në Vlorë, bashkëpronarë të plazhit të quajtur “Kalaja”, ku ndodhi ngjarja. Arrestimi i tyre u krye pasi megjithëse kishin detyrimin ligjor për të kallzuar kimin e ndodhur në plazhin që kishin në pronësi nuk kanë e kryer një gjë të tillë, duke mos dhënë shpjegime.  Arrestimi i tyre u krye për veprën penale “Moskallzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal", thuhet në deklaratën e policisë së Vlorës.

Në një konferencë për shtyp, Drejtori i Policisë së këtij qarku dhe kreu i Prokurorisë Dorian Tafili bënë të ditur dje se është vënë në pranga 18-vjecari Leo Osmeni,  person me precedent penale njëherësh autori kryesor  i dyshuar për atë që tashmë njohet si 'masakra e Vlorës'. 

Nga hetimet u zbulua se 2 prej viktimave, Serdi Bajlozi 17-vjec dhe Sokol Isufaj 34- vjeç janë goditur nga plumba rikoshet, ndërkohë që gruaja 52-vjecare Diana Ademi është qëlluar, ndërkohë që arma ka qenë duke u ulur në tokë. 

Kush ishin viktimat që humbën jetën aksidentalisht
SOKOL ISUFAJ

Sokol Isufaj ishte një prej pushuesve që mbeti i vrarë pasditen e së dielës në plazhin pranë Kalasë në Vlorë. 

34-vjeçari, baba i 2 vajzave të mitura, është përcjellë për në banesën e fundit pasditen e djeshme. 

Sokol Isufaj, lindur në Kurjan të Roskovecit e banues në Fier, ishte kthyer para 7 vitesh nga Italia dhe punonte bashkë me të atin elektricist. 

34-vjeçari dhe gjimnazisti, sipas policisë, janë goditur nga plumba rikoshet dhe nuk kanë qenë objekt i sulmit kriminal. 

SERDI BAJLOZI

Serdi Bajlozi, ishte viktima më e re e masakrës së të dielës në Vlorë. Adoleshenti që më 1 gusht do të mbushte 18 vjeç, ishte një ndër nxënësit më të mirë të shkollës së mesme “Halit Bërzeshta” në Prrenjas dhe vitin tjetër do të ishte maturant. 

Ai mbeti i vrarë me një plumb në kokë, ndërsa kishte shkuar me pushime bashkë me të motrën. 

Agron Bajlozi, i ati i Serdit, pas ngjarjes hodhi dyshimet se të birit i ishte marrë veshka, por më vonë ai u tërhoq nga akuzat. 

Gjimnazisti u përcoll dje për në banesën e fundit. 

DIANA ADEMI
Prej 2 javësh kishte ardhur nga Gjermania, ku punonte prej 23 vitesh, për të bërë pushimet në vendlindjen e saj në Vlorë, por ka mbetur e vdekur. 

Ende trupi i pajetë i 53-vjeçares Diana Ademi ndodhet në morgun e spitalit të Vlorës. 

Familjarët e së ndierës nuk e kanë tërhequr akoma trupin, pasi janë në pritje të ardhjes së djalit të saj të vetëm nga Tokio. 

Ashtu si edhe 2 viktimat e tjera të kësaj ngjarjeje, Diana nuk ishte objekt i sulmit të autorit, por mbeti e vrarë nga një plumb qorr i dalë nga breshëria e automatikut.

Sherri para masakrës, dëshmitari: Gjithçka për një femër
Breshëri automatiku... Bërtitje dhe ulërima... Pak më tutje edhe kuje vajtimi... Duket si pamje e filmave italianë të Casa Nostrës, por në fakt është një realitet, që dy ditë më parë tronditi gjithë pushuesit në bregdetin e Vlorës, por jo vetëm ata. Do të jenë të shumtë personat që do ta mbajnë mend gjatë pasditen e së dielës së kaluar, kur pas një breshërie automatiku të shkrepur “kuturu”, mbetën të vrarë tre persona të pafajshëm. Mrekullisht “çmendurisë” së Vlorës, ashtu siç quhet tani, i ka shpëtuar edhe 21-vjeçari Justin Mërkuri. Ai ka qenë vetëm pak hapa larg breshërisë së automatikut, madje aq afër sa atë breshëri duket se e dëgjon akoma në kokë. 21-vjeçari ka rrëfyer për “Gazetën Shqiptare” tmerrin që ka përjetuar në ato momente, duke dhënë edhe detaje të tjera lidhur me masakrën e së dielës në zonën e Kalasë në Vlorë. “Ishte breshëri, por me sa mbaj mend dhe më është fiksuar në vesh, ishte breshëri me 2 ndalesa. 

Pra, autori qëlloi një herë me breshëri, më pas ndaloi dhe qëlloi përsëri”, - pohon Justini. Sipas të riut, autori që ka qëlluar, ka pasur si shënjestër çadrën e disa djemve nga Fieri, të cilët po ngacmonin motrën e autorit. “Në fakt, autori jo se goditi pa shënjestër. Ai erdhi dhe qëndroi mbi 6 shkallët që zbret poshtë. Nga e goditura plumbat kanë kapur edhe bordurën, e cila bëri rikoshet, që vrau aksidentalisht edhe 2 viktimat e tjera”, - rrëfen Justin Mërkuri për “GSH”. Ai kishte zgjedhur bregdetin e Vlorës për të pushuar, deri në momentin që ajo pasdite pushimi u ndërpre nga breshëria e një automatiku, që mori jetën e tre personave të pafajshëm. Nga breshëria mbetën të vdekur në vend, 17-vjeçari Serdi Bajlozi, 34-vjeçari Sokol Isufaj dhe 53-vjeçarja Diana Ademi, të cilët nuk kishin lidhje me ngjarjen, por humbën jetën pas plumbave rikoshet. Vetëm ditën e djeshme, policia ka vënë në pranga 18-vjeçarin Leo Osmëni, si personi i dyshuar për ngjarjen e së dielës. (Intervista ekskluzive sot në GazetaShqiptare/ nga: Aurora Koromani)

Hetimi/ Fierakët i ngacmuan motrën, i qëlloi me kallash. Pranga 18-vjecarit 
Sherri për një femër shkaktoi tragjedinë në një resort turistik të Vlorës. Brenda 24 orëve, Policia lokale ka mundur të zbardhë ngjarjen, ku mbetën të vrarë Sokol Isufaj nga Fieri, gjimnazisti Serdi Bajlozi nga Prrenjasi dhe emigrantja Diana Ademi nga Vlora, të cilët kishin shkuar për pushime në brigjet e Jonit. Tashmë blutë kanë prangosur edhe autorin e kësaj masakre, i cili është 18-vjeçari Leo Osmëni nga Vlora. Burime zyrtare nga dikasteri i Rendit pohojnë se konflikti ka nisur mes Osmënit dhe 5 të rinjve nga fshati Pojan i Fierit, pasi këta të fundit i kanë ngacmuar motrën 18-vjeçarit. Sipas hetuesve të çështjes, adoleshenti Osmëni është përpjekur të qëllojë mbi 5 të rinjtë nga Fieri, të cilët janë përzier me pushuesit. Mësohet se plumbat e kallashnikovit kanë bërë rikoshet në gurë, duke shkaktuar edhe bilancin fatal prej 3 viktimash. Blutë e Vlorës kanë arritur të identifikojnë autorin, pasi kanë marrë në pyetje një numër rekord dëshmitarësh, shkruan sot Gazeta Shqiptare.

Konflikti
18-vjeçari Leo Osmëni, së bashku me të motrën kanë qenë dje duke pushuar në resortin turistik pranë Kalasë, në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë. Ndërsa ishin në pjesën e sipërme, në lokal një prej fierakëve ka ngacmuar motrën e 18-vjeçarit Leo Osmëni dhe i ka kërkuar adresën e “Facebook”-ut, ndërsa ajo i është përgjigjur se adresën do ia tregonte i vëllai. Kaq është dashur që të ndizen gjakrat dhe 18-vjeçari bashkë me një shok është përleshur me 5 fierakët, madje njërin prej tyre e ka qëlluar me kaçavidë në ballë. Më pas 18-vjeçari nga Vlora ka nxjerrë nga makina e tij një çantë, ku brenda saj ndodhej arma kallashnikov. E gjithë ngjarja është zhvilluar në pjesën e sipërme të resortit, larg plazhit. Duke parë skenën, 5 të rinjtë, të frikësuar kanë zbritur shkallët dhe i janë drejtuar plazhit, ku janë përzier me pushuesit. 18-vjeçari i ka ndjekur dhe, pasi nuk ka mundur t’i shikojë, ka qëlluar në tokë. Plumbat e kallashit kanë bërë rikoshet në gurë dhe më pas kanë përfunduar tek 34-vjeçari Sokol Isufaj dhe 17-vjeçari Serdi Bajlozi. Në momentin që Osmëni ulte kallashnikovin, plumbat kanë kapur edhe 53-vjeçaren Diana Ademi, duke e lënë të vdekur në vend. Më pas i riu është larguar me shpejtësi nga zona me makinën e tij. 
(e.m/BalkanWeb) Lidhje te tjera E dashur Eva, të faleminderit! Masakra në Vlorë, viktimat u vranë nga plumba rikoshet, autori sherr me disa fierakë Masakra në Vlorë, dëshmia e 16-vjeçares: U përpoqa të shpëtoja viktimat Masakër në resortin turistik në Vlorë, 3 të vdekur. Policia: Ja dy pistat e hetimit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›