E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për buxhetin, financat e bashkisë në krizë

Ende nuk është përcaktuar ndonjë datë se kur do të mblidhet këshilli bashkiak i kryeqytetit

Mbledhja e Këshillit Bashkiak duket e largët për kryeqytetin dhe ende asnjë datë nuk është njoftuar për të. Ndërkohë që përfaqësuesit e bashkisë më të madhe në vend pohojnë krizën që po sjell mungesa e një buxheti për këtë qytet të madh, siç është Tirana dhe një administratë aspak e vogël si ajo e vendorëve kryeqytetas. Aktualisht, Bashkia e Tiranës në përputhje me ligjin në fuqi është duke përdorur si fond pagash dhe për shpenzime të tjera një shumë që është e barabartë me një të dymbëdhjetën e buxhetit të vitit të kaluar. Kjo për efekt të mosmiratimit të buxhetit të ri të saj për këtë vit, i cili ka ngecur keqazi në duart e këshilltarëve të djathtë.

Data e fundit e mbledhjes së Këshillit Bashkiak të Tiranës për miratimin e buxhetit vjetor dhe atij afatmesëm për kryeqytetin ishte 31 marsi. Por edhe pse muaji prill po shkon me shpejtësi drejt fundit, sërish asnjë këshilltar nuk ka marrë njoftim për ndonjë datë të saktë, se kur do të mblidhet ky organ vendimmarrës.

Në këtë mënyrë, drejtuesit e Bashkisë së Tiranës pohojnë se kanë vendosur që të vazhdojnë të kryejnë investime dhe shpenzime me ato para që u lejon ligji, madje deri në fund të vitit, po të jetë nevoja.

E ndërsa beteja për buxhetin e Bashkisë së Tiranës duket se për momentin është në “armëpushim”, ajo nuk mund të quhet e tillë për sheshin “Skënderbej” dhe punimet që po zhvillohen aty. çështja e fundit më e debatuar pas asaj të kaosit të trafikut të shkaktuar nga bllokimi i qarkullimit të makinave në shesh, është ajo për garazhin pas Pallatit të Kulturës.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›