Rezerva valutore, qeveria ndikoi negativisht
Rezerva valutore ndërkombëtare e Bankës së Shqipërisë u rrit me vetëm 21.4 milionë dollarë gjatë vitit të kaluar, pavarësisht se investimi i këtyre parave krijoi fitime prej 56 milionë eurosh, ndërsa ndryshimet në kursin e këmbimit mes euros dhe dollarit dhanë një efekt statistikor negativ prej 55 milionë dollarësh të tjera, bëri të ditur BSH në raportin e saj vjetor që u prezantua mbrëmë në Parlament. Rezerva valutore qe në fund të dhjetorit 2.37 miliardë dollarë. “Veprimet me Ministrinë e Financave patën një efekt neto negativ prej 118 milionë dollarësh”, deklaroi BSH, duke përmendur se të ardhurat e qeverisë në valutë, qenë më të ulëta sesa shpenzimet e kryera në valutë, veçanërisht për shlyerjen e faturave të rrugës Durrës-Kukës.
Në të njëjtën kohë, për shkak të rritjes së rrezikut financiar, Banka e Shqipërisë hoqi dorë nga investimi i rezervës valutore në tituj borxhesh të kompanive të ndryshme ndërkombëtare dhe e investoi shumicën dërrmuese në tituj borxhi të qeverive të vendeve të zhvilluara. Këto investime konsiderohen 100 për qind të sigurta, por për rrjedhojë, japin edhe fitime më të ulëta.
“Si rrjedhojë e zhvillimeve që pasuan krizën financiare të tregjeve ndërkombëtare të vitit 2008, u evidentua nevoja e kryerjes së disa ndryshimeve në politikën e administrimit të rezervës valutore”, – shkruan BSH në raportin vjetor.
Rezerva valutore ndërkombëtare mbahet nga Banka e Shqipërisë si një garanci për vlerën e lekut dhe për këmbyeshmërinë e lekut kundrejt valutave të huaja. Sipas këshillave të Fondit Monetar Ndërkombëtar, rezerva valutore duhet të jetë e mjaftueshme për të mbuluar së paku 4.6 muaj importe. Rezerva valutore mund të përdoret në raste ekstreme për të stabilizuar ekonominë në kohë krize. BSH nuk e ka përdorur rezervën valutore gjatë vitit 2009, kryesisht për shkak se kriza e Shqipërisë dhe zhvlerësimi i lekut qe pasojë e shpenzimeve të qeverisë dhe jo e tronditjeve nga jashtë.
#