E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sekuestrohet llogaria me 500 mijë euro

Policia dërgon për ndjekje penale 50-vjeçarin italian. Në hetim, edhe 3 të tjerë Pronari i llogarisë së sekuestruar pretendon se paratë i ka fituar nga shitja e dyqaneve në Gjermani

Sekuestrohet në Shqipëri një llogari bankare me rreth gjysmë milionë euro, e cila i përkiste një italiani. Sekuestrimi është bërë nga Sektori Kundër Pastrimit të Parave në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, që ka nisur hetimet për katër shtetas italianë, të cilët janë me precedentë edhe në vendin e tyre për krime ekonomike.

Burimet nga grupi hetimor bënë të ditur se identifikimi është bërë nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Luftës ndaj Terrorizmit në Ministrinë e Financave, e cila ka zbuluar disa transferta në bankat në Shqipëri, që vinin nga Sllovenia. Ata kanë marrë dokumentet e para dhe ia kanë referuar policisë, që ka nisur një hetim më të hollësishëm për këtë rast, duke u bazuar në ligjin “Antimafia”. Sipas të dhënave policore, gjatë hetimeve ka rezultuar se një shtetas italian, i cili ka biznese të ndryshme si në Itali, ashtu dhe në Gjermani, i moshës rreth 50 vjeç, ka hapur një llogari bankare në Slloveni. Kur ka hapur llogarinë, ai ka depozituar 500 mijë euro. Nga hetimet rezulton se ai i mbante në dy çanta dhe të gjitha ishin prerje 50-she. Kjo ka sjellë dyshimet e para në bankë, ndërkohë që pa kaluar shumë kohë, rreth një javë, ai është paraqitur sërish në bankën në Slloveni dhe ka kërkuar që paratë të transferohen në një bankë në Shqipëri, ku numri i llogarisë i përkiste një tjetër italiani. Pa kaluar as tri ditë, shuma e parave është transferuar sërish në llogarinë e një tjetër italiani, në një tjetër bankë, e cila mësohet se është bankë italiane në Shqipëri. Personi i tretë që ka marrë këtë transfertë, i ka dërguar paratë në një tjetër llogari në të njëjtën bankë, që i përkiste një emri tjetër. Kështu, llogaria ka kaluar në katër duar të ndryshme, me qëllim për të humbur prejardhjen. Por, në llogarinë përfundimtare, shtetasi italian ka nisur të bëjë tërheqje të ndryshme parash në vlera rreth 20 mijë euro. Këtu ka qenë momenti kur është pikasur nga ana e Ministrisë së Financave, që ka kërkuar sekuestrimin e llogarisë bankare dhe hetimin për këtë rast.

Policia, duke pasur në dorë gjithë këto informacione, ka sekuestruar llogarinë bankare dhe ka marrë në pyetje italianin, i cili është shqetësuar për mungesën e parave. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se i kishte përfituar nga shitja e dyqaneve në Gjermani, megjithatë nuk e ka vërtetuar me dokumente pretendimin e tij, duke deklaruar se do t’i sillte ato më vonë. Por, prokuroria, e cila ka dhënë urdhrin për sekuestron dhe për hetimin e mëtejshëm të çështjes, ka kërkuar informacion të mëtejshëm për të katër italianët në shtetin e tyre. Nga të dhënat e mbërritura në Shqipëri, rezulton se ata janë me precedentë edhe në Itali për evazion fiskal dhe për krime të tjera ekonomiko-financiare. Në këto kushte, prokuroria ka nisur procedim penal për pastrimin e produkteve, të veprës penale, nëpërmjet transferimit të pasurisë për fshehjen ose zhdukjen e origjinës së paligjshme të pasurisë, ose dhënien e ndihmës për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale. Në sekuestro kanë përfunduar 425 mijë euro për shkak se pjesa tjetër janë mbajtur si taksa nga bankat gjatë transferimit të tyre. Për ndjekje penale është dërguar vetëm njëri prej tyre, i cili dyshohet se ka fshehur burimin, vendndodhjen e pasurisë dhe ka bërë zhvendosjen e saj. Gjithashtu, ai dyshohet se ka kryer veprime financiare dhe transaksione të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas ligjit për pastrimin e parave. Ndërkaq, ai mendohet edhe për çelje të depozitave ose llogarive bankare me emra fiktivë.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›