Sherri për makinat, vritet me thikë 19-vjeçari
Një konflikt banal për fërkimin e dy automjeteve gjatë një parakalimi në Sukth ka shkaktuar vrasjen me thikë të një 19-vjeçari. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes, kur tre të rinj nga Tirana janë konfliktuar me 19-vjeçarin, duke e goditur atë me thikë. Viktima është Blerim Hoxha nga fshati Xhafzotaj i Shijakut, i cili nuk u ka mbijetuar plagëve edhe pse është dërguar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Pas krimit, policia e Durrësit ka nisur kërkimet për autorët, ndërsa operacioni është mbyllur me sukses. Shërbimet e policisë së Durrësit arrestuan tre personat e dyshuar, të cilët janë Andri Toçi, 22 vjeç, Ervis Xheka, 19 vjeç dhe Armando Xheka, 19 vjeç. Ngjarja ndodhi mbrëmjen e së premtes dhe për pasojë, Hoxha mbeti i plagosur nga goditjet me thikë. Ai u dërgua fillimisht në spitalin rajonal të Durrësit, po gjendja e tij u vlerësua e rëndë nga mjekët lokalë dhe u nis drejt Spitalit Ushtarak, ku dhe ndërroi jetë si pasojë e dëmtimit të arteries dhe hemorragjisë së madhe. Pas arrestimit, tre autorët e krimit u izoluan në mjediset e policisë së Durrësit, ndërsa do të përballen me akuzën e “vrasjes në bashkëpunim”.