Tepelenë, një e vdekur e dy të plagosur në aksident
Një 54-vjeçare nga Shkodra me shtetësi amerikane, ka humbur jetën gjatë një aksidenti automobilistik në zonën e Tepelenës. Aksidenti ka ndodhur në rrugën kombëtare Tepelenë-Krahës, ku kanë ngelur të plagosur edhe dy persona të tjera. Sipas policisë, rreth orës 11:00 të së shtunës, një telefonatë e mbërritur në sallën operative ka informuar se në segmentin e rrugës kombëtare Tepelenë-Krahës, në vendin e quajtur ‘Kthesa e Luftinjës’ ka ndodhur një aksident automobilistik me pasojë vdekje. Në aksident ishte përfshirë automjeti “Ford” kamionçinë, me targa greke EMK 38 74, që drejtohej nga 58-vjeçari Sokol Lepeja dhe që po udhëtonte nga Athina për në Shkodër. Në këtë makinë udhëtonin si pasagjerë edhe çifti i bashkëshortëve Nush dhe Arta Prendi nga Shkodra, të dy me nënshtetësi amerikane. Gjatë përplasjes fatale, kjo e fundit humbi jetën. B.Shehu