E Diel, 1 Nëntor 2026

Retro/Histori: 18 dhjetor 1916 Beteja e Verdunit

Beteja e Verdunit ishte një nga më të mëdhatë e Frontit Perëndimor gjatë Luftës së Parë Botërore. Palët ndërluftuese ishin francezët dhe gjermanët, dhe përleshjet filluan më 21 shkurt për të përfunduar më 18 dhjetor 1916, në terrenin kodrinor të qytetit Verdun-sur-Meuse në Francën veriperëndimore. Beteja e Verdunit përshkruhet botërisht nga historianët si fitore taktike e francezëve, por gjithashtu është parë si një ngërç i kushtueshëm sa u takon rezultateve strategjike. Komanda e Lartë Gjermane nuk arriti t’i plotësonte dy objektivat e saj: 1-marrjen e qytetit të Verdunit dhe 2-dëme më të mëdha për trupat franceze. Ushtria franceze më në fund i zmbrapsi trupat gjermane, por jo deri në pikën fillestare të mësymjes së shkurtit në rrethinat e Verdunit. Në fund Beteja e Verdunit shënoi më shumë se një çerek milion vdekje në fushëbetejë (163 000 francezë dhe 143 000 gjermanë), plus të paktën një gjysmë milioni të plagosur. Beteja ishte një nga më të gjatat dhe më shkatërrueset e Luftës së Parë Botërore dhe përgjithësisht në historinë e njerëzimit. Verduni ishte kryesisht një betejë artilerish: një total prej 40 milionë gjylesh u shkëmbyen nga të dy krahët, duke lënë pas miliona kratere të hapura, që janë pjesërisht të dukshëm edhe sot. Si në Francë ashtu dhe në Gjermani, Verduni simbolizon tmerret e luftës, të ngjashme në domethënie me betejën e Sommës në Mbretërinë e Bashkuar. Gjeneralmajori Jualian Thompson, një historian i njohur ushtarak britanik, e ka quajtur Verdunin ‘Stalingradi i Francës’.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›