E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për muzikën, vritet 30-vjeçari

Marenglen Jahoelezi është qëlluar me automatik nga fqinji i tij në biznes pas grindjes për muzikën e lartë të lokalit

Viktima nga kryeqyteti është qëlluar për vdekje nga 55-vjeçari Zihni Dushku

DURRËS- Një sherr për muzikën e lartë në një lokal rulot i ka marrë jetën një të riu në plazh. Ngjarja ndodhi në plazhin e zonës së Hamallajt në komunën e Sukthit të rrethit Durrës, rreth orës 23.00 të së hënës, kur një breshëri kallashnikovi i ka marrë jetën 30- vjeçarit Marenglen Jahoelezit, banor i Tiranës. Sipas burimeve policore, autori i ngjarjes është 53-vjeçari Zihni Dushku nga Hamallaj, i cili është vënë në pranga vetëm dy orë pas saj. Dushku ishte polic në pension dhe kishte në plazh një biznes sezonal.

Vrasja
Policia ka konfirmuar se konflikti ndërmjet autorit dhe viktimës e miqve të tij ka nisur ditën e diel pasdite për arsye banale dhe shkak është bërë muzika me volum të lartë që kish vënë autori në rulotin e tij. Të dy shtetasit kanë pasur nga një kioskë-rulot pranë njëri-tjetrit në Plazhin e Hamallajt në afërsi të zonës së Hidrovorit.

Nga ky shkak janë konfliktuar dhe janë rrahur me grushte. Konflikti i parafundit ka ndodhur ditën e diel, kur edhe janë shoqëruar më pas në polici. Pas shoqërimit që u është bërë u është marrë edhe një deklaratë që shprehte dëshirën e të dyja palëve për të mos e përsëritur konfliktin. Pas firmosjes që i kanë bërë deklaratës, sherri ka rifilluar të hënën në mbrëmje në lokalin e autorit të vrasjes, kur viktima i ka shkuar me disa miq të vet që kishin ardhur për të mbështetur Jahoelezin. Dëshmitaret e thirrur në polici kanë deklaruar se Marenglen Jahoelezi me miqtë e tij kanë shkuar dhe e kanë rifilluar konfliktin me shtetasin Zihni Dushku, i cili duke parë se nuk mund t'i përballonte së bashku, ka hyre brenda lokalit dhe ka marrë armën që e mbante pa leje dhe ka qëlluar në drejtim te 30-vjeçarit, i cili ka mbetur mbi dyshemenë e lokalit te Dushkut i plagosur rëndë. Miqtë e tij e kanë marrë dhe e kanë nisur për në spitalin ushtarak në Tiranë, por sipas njoftimit te policisë, si rezultat i plagëve të marra, ai nuk ka mundur të mbijetojë.

Policia
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar forcat e policisë të cilët kanë konstatuar se rreth orës 23.15 se në plazhin e Hidrovorit Hamallaj tek lokali i tij shtetasi Zihni Dushku për motive të dobëta ka qëlluar me armë zjarri ne drejtim të shtetasit Marenglen Jahoelezi i vitlindjes 1979 banues në Tiranë dhe miqve të tij. Policia ka arrestuar ndërkohë edhe autorin e vrasjes.

Arrestimi i tij është bërë rreth orës 03.30 të mëngjesit. Dushku nuk ka bërë asnjë kundërshtim uniformave blu në momentin që i kanë hedhur prangat. Policia thotë se në vendngjarje ekspertet e kriminales kanë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale pesë copë gëzhoja mod. 56 të cilat ishin të kalibrit 7.62 mm. Gjithashtu sekuestruar dhe marrë në cilësinë e provës materiale arma automatik model 56 e prodhimit kinez me një krehër me 18 copë fishekë, i cili ju gjet autorit në momentet e arrestimit. M. Brunga

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›