Vata: Dajti ushqehet nga buka e Spitalit dhe sjellje korrekte me personelin
TIRANË- Pak ditë më parë, ishte institucioni i Spitalit të Burgut që nuk pranoi ushqimet e sjella nga familjarët e Dritan Dajtit, duke ia refuzuar futjen e tyre, për shkak se vetë institucioni shërben ushqim cilësor. Vetë drejtori i këtij institucioni Ylber Vata gjatë bisedës për "Shekullin" konfirmoi se i dënuari me 25 vjet burg Dajti ushqehet nga ushqimi që servirë Spitali i Burgut që është mjaftë cilësor.
"Që nga dita e pranimit dhe që nga dita që mjekët e Spitalit të Burgut kanë lejuar që Dritan Dajtit të ushqehet normalisht, ky i fundit merr për cdo ditë racionin e dhënë nga Spitali i Burgut, duke mos u ankuar për asnjë çast"-tha drejtori Vata. Sipas tij, i akuzuari për vrasjen e katër agjentëve të policisë, ka një sjellje korrekte me personelin mjekësore të Spitalit të Burgut dhe me efektivët e sigurisë së këtij institucioni. "Nuk është agresiv me stafin mjekësor dhe me efektivët e policisë. Ka një sjellje korrekte karshi tyre dhe të gjitha kërkesat e ngritura për ekzaminim mjekësor i janë kryer",-tha drejtori Vata.