E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sherri për pronën, përleshje me armë në Lekbibaj

Burimet zyrtare konfirmojnë se konflikti mes fqinjëve për kufirin ndarës të pronave kishte kohë që ekzistonte, ndërkohë që përballja e pasdites së diel mes Markajt dhe Markut është shoqëruar me përdorimin e armëve 

KUKËS - Konflikti për pronësinë e tokës mes dy fqinjëve në një fshat të Tropojës ka çuar në përleshje me armë, po fatmirësisht pa viktima. Ndërkohë, një 35-vjeçar që akuzohet si shkaktar i këtij konflikti të armatosur, është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është shpallur në kërkim. Sipas policisë, ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e ditës së diel, në fshatin Markaj të komunës Lekbibaj në Tropojë. "Në orën 21:00 të ditës së diel, në sallën operative të komisariatit të policisë, kryetari i komunës së Lekbibajt në Tropojë njofton për një konflikt pronësie me armë mes dy fqinjëve. Menjëherë, një grup i policisë ka shkuar në vendngjarje dhe ka konstatuar se 35-vjeçari Nikë Ndue Markaj, lindur dhe banues në fshatin Markaj, ka qëlluar me armë zjarri ndaj komshiut të tij, Gjon Pjetër Marku dhe është larguar nga vendi i ngjarjes", - pohojnë burimet zyrtare pranë Drejtorisë së Policisë Qarkut Kukës. Burimet zyrtare konfirmojnë se konflikti mes fqinjëve për kufirin ndarës të pronave kishte kohë që ekzistonte, ndërkohë që përballja e pasdites së diel mes Markajt dhe Markut është shoqëruar me përdorimin e armëve. Mësohet se pas konfliktit me fjalë, 35-vjeçari Markaj ka marrë një automatik kallashnikov dhe ka qëlluar me breshëri drejt fqinjit. Fatmirësisht, plumbat e armës nuk kanë rënë në objekt. Autori është larguar në drejtim të paditur, ndërsa policia ka nisur hetimet. "Gjatë ekzaminimit në vendin e ngjarjes, është gjetur dhe administruar në vlerën e provës një gëzhojë arme, e cila do i nënshtrohet analizave laboratorike",- shtojnë drejtues të policisë lokale. Njëkohësisht, nga policia po punohet për kapjen e autorit e zbardhjen e ngjarjes.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›