E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e Kekës, familjarët investigime private

Lajmi konfirmohet për GSH nga burime pranë familjes, sipas të cilave, shkak për këtë vendim kanë qenë mosbesimi që ata kanë në zbardhjen e ngjarjes nga policia. Zbulohen lëvizjet e dyshimta të një makine 

SHKODER- Familjarët e ish-kryetarit të vrarë të PDK-së për Malësinë e Madhe, Aleks Keka, kanë nisur investigime private për zbardhjen e ngjarjes. Lajmi konfirmohet për Gazetën nga burime pranë familjes, sipas të cilave, shkak për këtë vendim kanë qenë mosbesimi që ata kanë në zbardhjen e ngjarjes nga organet e hetimit të krimit. Investigimet e familjarëve duket se kanë gjetur edhe një pikë konkrete për të hetuar. Bëhet fjalë për një automjet tip "Land Rover", i cili është parë nga banorët të lëvizte së tepërmi në ditët para ngjarjes. Çuditërisht, automjeti tip "Land Rover" nuk është parë më të lëvizë në zonën e Bajzës dhe Koplikut. Aleks Keka u ekzekutua në një atentat me eksploziv C4, me aktivizim në distancë me celular, në automjetin e tij tip "Mitsubishi Pajero", në afërsi të urës së Rrjollit, në segmentin Koplik-Shkodër. Ngjarja ndodhi paraditen e së enjtes në 18 qershor dhe është ende e pazbardhur nga policia. Në fakt, policia me versionet e saj paraprake për një shpërthim aksidental nga defekti në punimin me gaz të automjetit (version që u rrëzua po prej saj) dhe me deklaratën se viktima ka qenë i dyshuar më parë për implikim në trafik drogash dhe eksplozivësh, solli edhe reagimin e familjarëve. Prej atij momenti, këta të fundit kanë ndërprerë çdo kontakt apo ndihmë për policinë. Burimet pranë familjes thanë për Gazetën se, nëse do të gjenden prova dhe autorët e ngjarjes, ata nuk kanë përjashtuar mundësinë e hakmarrjes apo vetëgjyqësisë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›