Aksidentet në Tiranë, dy të vdekur brenda pak orësh
TIRANË- Dy të rinj kanë mbetur viktimës e aksidenteve rrugore që ndodhet brenda pak orësh dje në Tiranë. Aksidenti i parë ndodhi rreth orës 15:30 të ditës së djeshme në autostradën Tiranë-Durrës, kur Fatjona Vladi, 21 vjeç, është përplasur nga një autobus duke gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia mbërriti menjëherë në vendin e ngjarjes për të sqaruar rrethanat e aksidentit. Burime nga policia thanë se nga hetimet e para rezulton se 21-vjeçarja ka kapërcyer mbi betonin ndarës të autostradës dhe sapo ka vënë këmbën në anën tjetër është marrë përpara nga një urban me targa të Durrësit. Policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit të linjës drejt Durrësit, Tahir Çela. Ndërkohë që një tjetër aksident është shënuar rreth 30 minuta më pas në kryeqytet me pasojë vdekjen e një personi. Ngjarja rrugore ndodhi pranë mbikalimit në Kthesën e Kamzës, kur një kamion është përplasur me një motor. Përplasja ka qenë fatale për drejtuesin e motorit i cili ka gjetur vdekjen e menjëhershme. Policia rrugore mbërriti menjëherë në vendngjarje për të zbardhur shkaqet e aksidentit. Mësohet se viktima u transportua në morgun e spitalit, dhe deri në orët e vona të mbrëmjes nuk është bërë i mundur identifikimi i tij për shkak se nuk posedonte asnjë dokument identifikimi.