E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi Skënderbej, qeveria po kërkon zgjidhje të butë

Këshilltari i Kryeministrit: Nuk e paragjykojmë projektin, silleni në KRRTRSH

Qeveria po kërkon t’i japë “një zgjidhje të butë” konfliktit më të fundit me Bashkinë e Tiranës lidhur me rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, në qendër të kryeqytetit. Përfaqësues të stafit të ngushtë të Kryeministrit Berisha kanë kërkuar dorëzimin e projektit belg për sheshin “Skënderbej” në KRRTRSH dhe aty premtojnë se do të japin votën e tyre pro për të.

Këshilltari i Kryeministrit Berisha për territorin, Flamur Kuçi, ka qenë zëri i djeshëm i qeverisë që ka hedhur në shesh këtë propozim. “I gjithë pretendimi i qeverisë është që të respektohen procedurat ligjore në mënyrë që të mos investohemi në procese të paligjshme, por të investohemi në procese të rregullta ligjore. Nuk kemi pasur asnjë lloj interesi që ta kthejmë në një debat politik atë që është dhe që duhet të jetë, një proces i mirëfilltë teknik i rregullimit të cilësisë së jetës, i cilësisë së sheshit. Kemi kontestimet tona për përmbajtjen e projektit, por nuk e paragjykojmë”, theksoi këshilltari Kuçi.

Sipas tij, KRRTRSH ka miratuar kohë më parë projektin francez për kryeqytetin dhe se ndryshimet e bëra në këtë dokument nëpërmjet projektit belg kërkojnë sërish vulën e organit më të lartë vendimmarrës për ndërhyrjet në territorin e Republikës së Shqipërisë. Dhe në këtë logjikë, shpjegon këshilltari i Kryeministrit qëndrimin e tij, punimet e bashkisë janë të paligjshme.

“Për sa kohë sugjerohet ndryshimi i planit francez, i cili ka marrë një formë ligjore, ndryshimi i tij në interpretimin tim imponon përfshirjen e një organi që është KRRTRSH. Punimet që po realizon sot Bashkia e Tiranës mund të konsiderohen të paligjshme. Por nuk duhet të lejojmë një keqkuptim. Në thelb, në princip ne jemi të interesuar që sheshi “Skënderbej” të ndërrojë faqe”, u shpreh dje Kuçi.
Nga ana tjetër, puna për rikonstruksionin e plotë të sheshit “Skënderbej” në përputhje me projektin e studios belge të përzgjedhur përmes një konkursi ndërkombëtar, vazhdon e pashqetësuar. Ministri i Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, paralajmëroi bllokimin e punimeve, nëse bashkia nuk paraqiste projektin për miratim në KRRTRSH.

Por krejt ndryshe janë shprehur ekspertë dhe pjesëmarrës në konkursin ndërkombëtar për këtë çështje. Ata kanë pohuar se projekti për sheshin “Skënderbej” nuk ka përse të kalojë në KRRTRSH për arsye se nuk bëhet fjalë për ndonjë ndryshim projekti. Nuk bëhet fjalë për ndryshim në planin francez kanë thënë ata.

Që prej katër ditësh, puna për tjetërsimin e sheshit qendror të Tiranës ka nisur dhe vazhdon normalisht.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›