E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi, aty ku protestuesit mblidhen jo vetëm për votën

Mes mbrojtësve të “votës së lirës”, të cilëve ngujimi i Ilir Metës u ka ngjallur shpirtin e protestës

TIRANË- Rruga e pagëzuar “Xhorxh Bush”, është bllokuar që prej ditës kur kreu i LSI-së, Ilir Meta, vendosi të ngujohet në Parlament. Që nga ky moment qindra protestues, kryesisht anëtarë dhe simpatizantë të LSI-së, kanë zënë sheshin përballë Kuvendit. Prej aty betohen se janë të gatshëm të vetëflijohen, derisa kërkesat e deputetëve të ngujuar në sallën e Kuvendit të përfshihen në Kodin Zgjedhor. Në të kundërt, jo vetëm adoleshentët, por edhe gratë janë gati të kacafyten me efektivat e policisë të vënë në gardh për të mbrojtur Parlamentin.

Protesta

Rreth orës 11 të ditës së djeshme, protestae mbrojtësve të “votës së lirë” ka arritur kulmin. Këngët ritmike, pjesë e një kolazhi të njohur “100 Këngët e Shekullit”, duket se ishin zgjedhur enkas nga organizuesit për të mbajtur të gjallë shpirtin e pjesëmarrësve. Nga një podium i improvizuar oratorët rrekeshin kush e kush të nxitë ekzaltimin e turmës, të përbërë kryesisht nga gra dhe adoleshentë. Dhe në kësi rastesh, akuzat ndaj kundërshtarëve politikë, është fjalori më i mirë për të ngjallur dashurinë e pjesëmarrësve në protestë. Thirrje për mbrojtjen e votës së lirë, qëndresë deri në momentet e fundit e deri tek solidariteti me deputetët grevistë, janë përcjellë nga përfaqësues të LSI-së apo edhe grupeve të tjera politike. Por zor se Edlira Taho ka kuptuar gjë nga gjithë ai fjalor mbi ndryshimet dhe shkeljet e kodit zgjedhor. 24-vjeçarja, që është ndër protestueset e shumta që prej tre ditësh kanë gdhirë dhe kanë ngrysur ditën në rrugën “Bush”, as që e ka idenë e variantit spanjoll të Kodit Zgjedhor. Edlira as që e di se vendimi i kreut të Partisë së saj për grevë urie është marrë për shkak të përjashtimit të LSI-së nga e drejta për të pasur anëtarë në komisionet zgjedhore të të gjitha niveleve. Ajo që duhet të di dhe di Edlira është se kreu i partisë së saj ndodhet në grevë urie. Kaq mjafton që ajo të ngrejë zërin në mbrojtje të votës së lirë.

Protestues

Por në ndryshim me pjesëmarrës të tjerë, Edlira është shumë më afër së vërtetës së protestës në rrugën “Bush”.Fatjon Berisha, që kryeson një grup djemsh është aty për të dëgjuar muzikë. Këngët ritmike duket se u kanë kënaqur shpirtin djemve, aq sa ia vlen që edhe ata të bërtasin si protestuesit e tjerë në mbrojtje të votës. Por vetëm fjalimet dhe thirrjet në mbrojtje të deputetëve grevistë dje nuk ishin të mjaftueshme. Nën drejtimin e Monika Kryemadhit, disa gra nisën të shpërndajnë për uniformat blu karafilë të kuq.Me kaq protesta u mbyll. Një pjesë e pjesëmarrësve mori udhën e pushimit për disa orë. Ndërsa më idhtarët zunë kafenetë për të ndjekur drejtpërsëdrejti seancën parlamentare që nisi po në orën 12. Të vetmit që mbetën ishin rreth 150 punonjës policie, detyra e të cilëve është të ruajnë parlamentin në rrugën “Xhorxh Bush”.

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, vijoi dje takimet në komunën e Golemit

Rama: Kjo është qeveria e trokllëkut

TIRANË- Ndalesa e radhës e kreut socialist Edi Rama, ka qenë dje komuna Golem në qytetin e Durrësit. Në këtë vizitë, Rama ka folur me banorët e zonës për problemet e bujqësisë, si dhe kostot tepër të larta të punës me tokën. Rama u bëri të ditur banorëve, se takimet e tij nëpër Shqipëri i kanë shërbyer atij për të përpunuar një alternativë të re lidhur me fshatin. Programi i ri i PS-së për bujqësinë, sipas tij, po ndërtohet jo vetëm në diskutime të gjera me bujq e fermerë në mbarë vendin, por për hartimin e tij, po ndihmojnë dhe ekspertë të huaj të suksesshëm në vendet e tyre në këtë sektor. Gjithashtu ai ka akuzuar qeverinë Berisha se ka shkaktuar varfëri dhe jo mirëqenie për njerëzit. “Kjo qeveri, qeveria e Sali Berishës që flet për bollëkun, është qeveria e trokllëkut dhe ai nuk është Sali bollëku, por është Sali trokllëku, sepse janë trokë familjet shqiptare që duan të jetojnë me punë të ndershme dhe veçanërisht familjet shqiptare në periferitë urbane e në fshat, të cilat nuk arrijnë dot të jetojnë, por vetëm mbijetojnë dhe mbijetesën e garantojnë falë ndihmës që ju vjen nga bijtë e bijat që janë në emigracion”,- tha Rama. Kryetari i opozitës ka shprehur domosdoshmërinë për të ecur përpara e për të lënë pas keqqeverisjen e Berishës. “E kemi të domosdoshme të lëmë pas shumëçka që po e trashëgojmë nga gjithë këto vite tranzicion rraskapitës dhe nga keqqeverisja e Sali Berishës në radhë të parë. E mbi të gjitha, e kemi të domosdoshme të lëmë pas një mënyrë të të kuptuarit dhe të bërit politikë, e kemi të domosdoshme të lëmë pas një sjellje politike të patolerueshme, që bazohet tek arroganca, tek akuzat, tek shpifjet, tek fyerjet, dhe që ushqehet nga kultura e ndarjes dhe e përçarjes së shqiptarëve. Deri në fshatin më të largët politika e vjetër e së shkuarës ka çuar përçarje”, - tha kreu socialist. Rama theksoi se është koha të kthejmë sytë nga fshati, nëse duam t'i mbajmë sytë nga Europa dhe se të gjithë duhet të bashkohen përtej kufijve që kanë vendosur partitë mes njerëzve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›