E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tufina, me shkollë të re 9-vjeçare

Bashkia e Tiranës bën të mundur ngritjen e një shkolle të re

Një shkollë tërësisht e re është vënë në dispozicion për fëmijët e periferisë së kryeqytetit. Bashkia e Tiranës, në kuadër të javës përkujtimore në nder të 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, shfrytëzoi rastin të hapë dyert e shkollës më të re 9-vjeçare në kryeqytet, “Pal Engjëlli”, ndërtimi i së cilës u bë i mundur falë një kredie prej 957 101 Euro nga Banka e Këshillit të Europës (CEB). Kryetari i Bashkisë së Tiranës, i pranishëm në përurimin e shkollës së re, u shpreh: “Shkolla “Pal Engjëlli”, që mban këtë emër të madh të historisë sonë dhe që sot përurohet në kuadrin e aktiviteteve për 100-vjetorin e “Kongresit të Manastirit”, është ajo çka priste ky komunitet i një periferie të skajshme të Tiranës, ku shumë familje në nevojë dhe shumë fëmijë që duhet të rriten, të edukohen dhe sigurisht të shkollohen për të qenë nesër të zotët e vetes, janë sot në këtë shkollë për të realizuar një dëshirë, një ëndërr të kahershme”. Kryetari i Bashkisë, Edi Rama, u shpreh krenar që përmes këtij mjedisi, u jepet mundësi fëmijëve të këtij komuniteti që në mjediset e kësaj shkolle të ndihen njësoj si të gjithë të tjerët, në një kryeqytet që e ka prioritet krijimin e kushteve optimale për çdo fëmijë, nga qendra deri në periferinë më të largët. Në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për këtë javë, Bashkia e Tiranës shpërndau gjithashtu paketa didaktike dhe mjete ndihmëse për programin mësimor- edukativ për këtë komunitet nxënësish, të cilët ndodhen në vështirësi sociale dhe ekonomike. Shkolla “Pal Engjëlli” shtrihet në rrugën “Myslym Keta”, në territorin e njësisë bashkiake Nr.4 dhe është ndërtuar me standardet europiane që bashkia e Tiranës vazhdon të ofrojë për sistemin parauniversitar në kryeqytet. Kështu, shkolla është pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme mësimore, për një zhvillim normal të procesit mësimor. Godina trekatëshe ka një sipërfaqe ndërtimi prej 4800 m2 dhe një kapacitet prej 800 nxënësish. Shkolla e re ka mjedise dhe hapësira të mjaftueshme për studim, aktivitete sportive, argëtim etj. Numri i klasave që u janë vënë në dispozicion fëmijëve është 32. Shkolla është pajisur gjithashtu me kabinete e laboratorë me sipërfaqe 320 m2, sallë polifunksionale me sipërfaqe 170 m2, palestra me sipërfaqe 240 m2, mjedise ndihmëse, asistencë mjekësore etj.Në territorin e shkollës i cili ka një sipërfaqe sheshi prej 1300 m2, përfshihen edhe mjediset sportive, ku nxënësit do të kenë mundësi të ushtrojnë aktivitetin e tyre fizik, si edhe mjediset e gjelbëruara (320 m2). Po kështu, në shkollë janë kryer të gjitha punimet për instalimin e sistemit të ngrohjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›