E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Nuk kemi bërë pazar me Berishën

Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së hedh poshtë akuzat e grevistëve për pakt me PD-në

TIRANË- Nënkryetari i grupit parlamentar i PS-së, Erion Braçe, ka hedhur poshtë dje çdo akuzë drejtuar Partisë Socialiste për bashkëpunim me Kryeministrin Berisha në lidhje me hartimin e Kodit Zgjedhor. Gjatë fjalës së mbajtur dje në seancën parlamentare, Braçe ka theksuar se PS-ja ka si qëllim mbrojtjen e interesave të saj. ”Mbi interesat e PS-së nuk do të vëmë interesat e kërkujt tjetër. Pikërisht për të gjithë ata që duan të kuptojnë dhe të dëgjojnë, apo duan ta vlerësojnë qëndrimin tonë, pra për gjithë shqiptarët do të doja të thosha se ne jemi në këtë sallë për të bërë detyrimin tonë kushtetues në raport me qeverinë, dhe natyrisht në raport me abuzimin e pushtetit”,- tha Braçe. Duke hedhur poshtë të gjitha akuzat për një marrëveshje me PD-në, ai theksoi se marrëdhëniet me qeverinë Berisha janë të bazuara në detyrimin kushtetues, që ka opozita. Ndaj, Braçe ka sqaruar se Berisha mbetet kundërshtari i Partisë Socialiste, duke iu drejtuar drejtpërdrejt deputetit Nikollë Lesi, i cili dje në Kuvend akuzoi PS-në për një marrëveshje të fshehtë me Berishën. “Do të doja më shumë modesti, edhe për kushtet e seancës të refuzoja deri në neveri të gjitha aludimet, akuzat e bëra këtu dhe jashtë sallës për marrëdhënie apo marrëveshje, për pazar apo biznes tonin me Sali Berishën, i cili ka qenë, është dhe do të mbetet kundërshtari ynë edhe për pak muaj, sepse nuk do të jetë më (zoti Lesi), pas qershorit të 2009-s. Do të jetë thjesht një njeri, të cilin do të kemi detyrimin t’i përmbushim të gjitha kërkesat si çdo pensionisti tjetër të Shqipërisë”, - u shpreh Braçe. Ai ka pohuar gjithashtu se zhvillimin e grevës e sheh si një të drejtë kushtetuese, që i njihet çdokujt.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›