E Diel, 1 Nëntor 2026

Sheshi ‘Nënë Tereza’, do rikonstruktohet, hiqet shatërvani

TIRANE- Një tjetër shesh do i nënshtrohet rikonstruksionit. Kësaj herë bëhet fjalë për sheshin “Nënë Tereza”, apo siç njihet ndryshe sheshi para Universitertit Politeknik. Instituti i Monumenteve ka bërë gati projektin, që synon ta rikthejë atë në identitet duke i dhënë pamjen e vitit 1939 kur edhe u krijua nga arkitektët italianë. Apollon Baçe, kreu i këtij Instituti sqaron se ndërhyrja kryesore me këtë shesh duhet të jetë heqja e shatërvanit ekzistues dhe zëvendësimi i tij me një monument të nobelistet shqiptare Nëna Terezë.

Pritet që edhe ky projekt të ngjallë diskutime, për heqjen e shatërvanit, pas atij që hoqi dhe e rivendosi sërish Bashkia e Tiranës në lulishten përpara Parlamentit. Megjithatë gjithçka do të mbetet për t’u parë në ditët në vazhdim, për ecurinë e këtij projekti. Përpos kësaj, Apollon Baçe, ka sqaruar më tej se Instituti i Monumenteve do të ndërhyjë konkretisht në këtë moment në këtë shesh dhe do të merret me restaurimin e fasadës së Akademisë së Arteve, e cila është një nga monumentet e këtij sheshi. Ky në fakt nuk është projekti i parë që jepet për sheshin “Nënë Tereza”, por ndoshta është i pari që i heq shatërvanin këtij. Ai është ndërtuar në vitin 1939 në bazë të planit urbanistik të arkitektit dhe inxhinierit italian Gerardo Bosio. Ai është bërë objekt idesh për ndërhyrje nga më të ndryshmet si nga bashkia ashtu edhe qeveria, ndërkohë që vetëm pak kohë më parë Bashkia e Tiranës bëri një ndërhyrje provizore që parashikonte vetëm asfaltimin e rrugëve, të cilat ishin dëmtuar së tepërmi.
(m.a/GSH/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›