E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fier, prodhimi bujqësor vendas tejmbush tregun

"Prodhimet janë mjaft cilësore, bio dhe më të sigurta se prodhimet e importuara", siguron përgjegjësi i sektorit këshillimor në Drejtorinë Rajonale të Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit, Ethem Bitaj.
     
Toka bujqësore e përshtatshme, kushtet atmosferike, (ngrohtësia, drita, lagështia), prodhimi i pa përqendruar, por në mënyrë individuale, sipas Bitajt e përjashtojnë mundësinë e përdorimit me shumicë të simulantëve kimik, pasi përdorimi i tyre në këtë periudhë do të ishte një kosto e panevojshme për fermerin.
     
Statistikat e publikuara nga Dhoma rajonale e Tregtisë dhe DRBUMK në Fier vërtetojnë më së miri faktin e “ngopjes” së tregut dhe kulmin e rritjes së konsumit të prodhimeve bujqësore të stinës.
     
Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Fier, Shezai Cobaj shprehet se "shkalla e konsumit të fruta-perimeve është rritur 50% krahasuar me periudhën kur tregu dominohej nga prodhimet e importit dhe rreth 12% me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar".
     
Muaji gusht vlerësohet dhe si periudha e artë, si për fermerët, tregtarët dhe konsumatorët.

“Fermerët i gëzohen frytit të punës disamujore me daljen e prodhimit në treg, tregtarët fitimit, ndërsa konsumatorët çmimeve të arsyeshme si rezultat i pikut të prodhimit dhe tejmbushjes së tregut me prodhimin vëndas", shprehet Seit Aisllari, banues në qytetin e Fierit.
     
"Toka nuk të lë kurrë të varfër. Ajo ta shpërblen 10 e 100-fish mundin nëse di si ta trajtosh", thotë fermeri Sotir Çuko, banues në fshatin Bishan, 15 km në jug-perëndim të qytetit të Fierit, i cili pas ardhjes nga emigracioni i është përkushtuar plotësisht fermës së tij bujqësore. /Start/

                                                                                             2011-08-14 14:45
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›