E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zjarret në Gjirokastër, policia: 6 të arrestuar

GJIROKASTER- Zv/drejtori i Policisë së Gjirokastrës Adriatik Tafçiu ka bërë sot publike me anë të një deklarate për mediat rastet e rënies së zjarrit në qarkun e Gjirokastrës, si dhe personat që janë ndaluar në lidhje me to. Sipas tij në total kanë rënë 37 zjarre, prej tyre 10 kanë rezultuar të qëllimshëm, ndërsa 6 persona po ndiqen penalisht në lidhje me këto zjarrëvënie të qëllimshme.

“Në qarkun e Gjirokastrës gjatë gjithë sezonit veror janë evidentuar 37 rase zjarri prej të cilëve 11 janë aksidental, 16 nga pakujdesia dhe 10 kanë rezultuar të jenë zjarre të qëllimshme. Duhet theksuar fakti se disa vatra zjarri janë riaktivizuar 2 ose më shumë herë, pasi zjarri nuk është shuar plotësisht, sepse ka përfshirë kullota në zona kodrinore e malore ku policia apo zjarrfikësit nuk kanë mundur do të ndërhyjnë për shuarjen e plotë të zjarreve. Si rezultat janë arrestuar 6 persona si autorë të zjarrvënies të qëllimshme, ndërsa janë proceduar në gjendje të lirë 16 persona të tjerë, si autorë të zjarrëvënies nga pakujdesia”, tha ai.

Tafçiu theksoi se ligji do të veprojë ndaj atyre që do të rezultojnë si autor të zjarrëvënies.
“Përvec veprimeve sensibilizuese e parandaluese, si edhe veprimeve procedurale në këto raste zjarri efektivat e drejtorisë së policisë së qarkut Gjirokastër janë aktivizuar me mjete rrethanore për të shpëtuar jetën e qytetarëve nga zjarri, si në banesa në disa fshatra. Për të gjitha rastet e zjarrit janë angazhuar rreth 200 punonjës police dhe rreth 25 mjete”, shtoi ai.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›