Abuzimi, policia rifillon prishjen e sistemit të gradave
Edhe pse në vitin 2007, një reformë e madhe u krye në polici për shkak të sistemit të gradave që ishte çorganizuar, policia duket se nuk ka “zënë mend”, duke abuzuar sërish me dhënien e funksioneve që nuk përshtaten me gradat e oficerëve. Bëhet fjalë për grada të nivelit të mesëm drejtues, ku janë pikasur disa raste kohët e fundit, që oficerë me grada të ulëta kanë përfituar funksione më të larta, ndërsa oficerë me grada të larta janë dërguar në funksione më të ulëta, duke i detyruar që të heqin dorë nga grada. çorientimi i sistemit të gradave, ku pritet të kthejë edhe një herë problemet e vjetra të policisë, ka filluar që në muajin tetor të vitit 2009, kur u ndryshuan drejtorët e pothuajse të gjitha drejtorive të policisë në qarqe, duke mos lënë mënjanë edhe oficerë të të njëjtit nivel edhe në qendër. Në atë kohë, policia u mundua t’i justifikonte lëvizjet para ndërkombëtarëve, siç janë PAMECA dhe ICITAP, me motivin se lëvizjet ishin të përkohshme, por sipas ligjit të policisë, tashmë ka kaluar çdo afat i përkohshëm, ndërsa oficerët vazhdojnë të mbajnë këto funksione.
Gradë e ulët me funksion të lartëZanafilla e prishjes së piramidës së gradave filloi në tetor të vitit 2009, kur në krye të policisë erdhi Hysni Burgaj, i cili me propozim të tij dhe me miratim të ministrit të Brendshëm lëvizi pothuajse të gjithë drejtorët e policisë në qarqe. Një problem i dukshëm në atë kohë ishte ai i emërimit të dy prej drejtorëve të policisë në qarqe, emërimi i të cilëve bie në kundërshtim me sistemin e gradave brenda ligjit të Policisë së Shtetit. Bëhet fjalë për emërimin e kryekomisar Saimir Muçës, si drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Elbasan, i cili para kësaj detyre ishte zëvendësdrejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Fier. Gjithashtu edhe për “emërimin e përkohshëm” të kryekomisar Altin Qatos si drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Berat. Sipas ligjit të Policisë së Shtetit, pikërisht në kapitullin e gradave, në nenin 36 deklarohet se grada Kryekomisar i përket punonjësit të policisë së nivelit të parë drejtues. Në nenin 35, pika b, sqarohet se punonjësi i policisë së nivelit të parë drejtues përfaqëson drejtimin dhe veprimin operacional. Madje, në tabelën sipas vendimit të qeverisë për funksionet korresponduese për çdo gradë, deklarohet se drejtori i Policisë së Qarkut ka gradën Drejtues ose Drejtues i Parë.
Këto dy grada i përkasin nivelit të mesëm drejtues në polici dhe një punonjës i këtij niveli përfaqëson drejtimin ekzekutiv qendror dhe vendor të policisë. Në këto kushte, të dy kryekomisarët janë vendosur në detyrat e reja si drejtorë policie qarku, pa u bazuar në ligj. Sa i përket Muçës, i cili nuk kishte gradën e duhur për funksionin që mori, policia tha në atë kohë se ai do të konkurronte për gradë, por kjo praktikë nuk njihet nga ligji, pasi ai edhe mund të mos e kalonte provimin e gradës. Ndërsa për Qaton, policia deklaroi se emërimi ishte i përkohshëm për nevoja të ngutshme pune. Por për këtë shprehet neni 53 i ligjit të policisë. Pikërisht në pikën 4 të këtij neni deklarohet se kur transferimi bëhet për nevoja të ngutshme shërbimi, ai nuk duhet të jetë më shumë se dy muaj. Megjithatë, që në kohën e emërimit të Qatos e deri tani, kanë kaluar më shumë se dy muaj.
Gradë e lartë me funksion të ulëtPor ky handikap nuk është i vetmi për policinë, pasi eksperienca dhe kalimi i kohës tregon edhe aplikimin e të kundërtës, ku oficerë policie me gradë të lartë dërgohen në funksione më të ulëta dhe u kërkohet detyrimisht të zgjedhin uljen në gradë ose largimin me dëshirë nga policia. Ky lloj procesi u ndoq nga viti 2005-2007, pasi policia, për shkak të lëvizjeve të shumta që kishte pasur, ishte mbushur me grada të niveleve drejtuese dhe kishte mbetur bosh me gradat për nivelet zbatuese. Madje, qeveria e pranoi në atë kohë se po bëhej padrejtësi për shumë oficerë karriere, por reforma kryhej për rregullimin njëherë e mirë të sistemit të gradave të policisë. Ata deklaruan se për shkak të funksionit ku ishin oficerët në momentin e hyrjes së ligjit të ri në fuqi, duhej të mbanin gradën që i korrespondonte atij vendi pune. Kjo u krye me detyrim dhe ata që kishin grada më të larta dhe funksione që u ulnin disa shkallë gradën, pasi në bazë të gradës në polici të rritet edhe përqindja e pagës, duhej të pranonin këtë sistem ose të largoheshin me dëshirë nga policia, duke përfituar pagë kalimtare dhe pension të parakohshëm. Me atë rast u mendua se nuk do të ndodhnin më handikapë të tjerë. Por, në vitin 2010 vërehen shumë raste, ku janë veçuar tre, të nivelit të gradave të larta. Të tre janë ish-drejtorë të policisë në qarqe dhe rasti i fundit ka të bëjë me Ali Elezin, para dy ditëve, i cili është transferuar nga drejtor në shef sektori. Por nuk lihen mënjanë edhe dy ish-drejtorët, që në tetor 2009 mbetën në dispozicion, pasi nuk kishte vende të lira. Në bazë të njoftimit zyrtar që dha policia në atë kohë, u deklarua se drejtues i parë Arben Hyseni, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Gjirokastër, mbetet në pritje të emërimit, i cili do të realizohet së shpejti. Në të vërtetë emërimi i tij është kryer, por si shef sektori në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, me gradën Drejtues, pra një gradë më pak, kur vende që përmbanin gradën e tij ishin zënë nga persona që kishin gradë të ulët e që nuk përkonte me funksionin. Gjithashtu në atë njoftim të asaj kohe, deklarohej se drejtues i parë Vehbi Bushati, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, mbetet në pritje të emërimit, i cili do të realizohet së shpejti. Edhe ai u emërua në qendrën e azilkërkuesve në Vorë, në varësi të departamentit të kufirit, por duke u ulur në gradën Drejtues, respektivisht duke i zbritur edhe paga. Sikur të mos kishin mjaftuar këto, ulja e tretë në gradë u bë për drejtuesin e parë Ali Elezi, drejtor i Drejtorisë së Policisë së Qarkut Kukës, i cili dy ditë më parë është emëruar shef i seksionit të sallës operative në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë. Por, këto nuk janë të vetmet abuzime me transferimet e punonjësve të policisë, pasi në nivele më të ulëta, ato bëhen më shumë, duke marrë trajtën e piramidës.
#