E Hënë, 2 Nëntor 2026

Shëtitje me skaf në det me dallgë, rojet kufitare shpëtojnë 7 veta

VLORE Një lundrim turistik nga Himara drejt Orikumit për pak sa nuk u ka kushtuar humbjen e jetës shtatë udhëtarëve. Skafi ku ata hipën mbrëmjen e së dielës, u fundos plotësisht vetëm pak minuta pasi mjetet e kufirit evakuuan turistët. Mësohet se rreth orës 22:00 të së dielës, 7 personat, të gjithë shqiptarë, të moshës 20-40 vjeç, vendosën të kryejnë lundrimin deri në afërsi të Vlorës. Ata janë ngjitur në një skaf me gjatësi 6 metra, i pajisur me dy motorë të fuqishëm, por nuk kishin kaluar as gjysmën e udhëtimit në Jon, kur kanë dhënë sinjalin SOS. Rreth 2 milje larg kepit të Gjuzës, deti është keqësuar dhe skafi ka hasur në vështirësi për lundrim. Për këtë shkak janë vonuar në det mes dallgëve duke harxhuar karburantin, të cilin e kishin parashikuar se ishte i mjaftueshëm për të mbërritur deri në Portin e Orikumit. Mbasi janë fikur të dy motorët e skafit, drejtuesi ka konstatuar se i kishte mbaruar karburanti dhe ndodheshin në rrezik për jetën. Ai ka njoftuar Policinë dhe Kapitanerinë për tu ardhur në ndihmë. Menjëherë në drejtim të zonës ku dha koordinatat drejtuesi i mjetit lundrues, janë nisur mjete të Policisë Kufitare dhe të Guardia di Finanza-s. Rreth 1 orë pas sinjalit dhe mes dallgësh të mëdha është arritur të gjendet në det të hapur mjeti me 7 djemtë në të. Me anë të dy mjeteve u bë transportimi i tyre drejt Portit të Vlorës. Sipas Policisë, skafi ka qenë me dokumente të rregullta. Ideja e personave, të gjithë të njohur mes tyre, ka qenë shëtitja me skaf nga Himara për në Portin e Orikumit, ku do të kalonin një natë për tu kthyer të nesërmen. Ky udhëtim do të ishte shndërruar në tragjedi, nëse ndihma nga rojet kufitare do vonohej dhe pak.  q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›