PD dhe PS bien dakord për imunitetet, Majko: Duam debat publik
Tiranë- Pas debatesh të shumta mbi heqjen e imuniteteve duket se opozita dhe mazhoranca kanë gjetur frymën e përbashkët.
Dy relatorët, Pandeli Majko dhe Edi Paloka kanë zhvilluar sot një takim, dhe kanë rënë dakord që të pranohen propozimet e Partisë Socialiste.
Pas takimit demokrati Paloka u shpreh se janë pranuar në masën 90% kërkesat e PS- së, ndërsa ka thënë se shpreson që në 6 Gusht të bëhet votimi i imunitetit.
Kemi pranuar 90% te propozimeve te PS për çështjen e imunitetit me qëllim që në 6 Gusht ta votojmë këtë draft për të cilin është rënë dakord përfundimisht mbrëmë mes meje dhe zotit Majko. Unë nuk përfaqësoj Palokën, por PD-në dhe shpresoj që PS të respektojë dhe ruajë dinjitetin e zotit Majko e votojë në 6 gusht- deklaroi Paloka.
Ndërsa deputeti socialist Pandeli Majko u shpreh se ka përfunduar një fazë e rëndësishme mbi ndryshimet kushtetuese dhe ka konfirmuar dakortësinë mes dy palëve.
Do të vijojmë me hapat e mëtejshëm dhe shpresojmë të kemi vullnet. Nuk vëmë kushte duam të kemi debat publik me PD-në si për nenet për imunitetin. Jemi të gatshëm edhe për ndryshimet e tjera kushtetuese dhe shpresojmë të merremi vesh si dy palë për ndryshimet e tjera. Kushtetuta nuk i përket partive politike, por publikut- ka thënë Majko.
Mbi arritjen e konsensusit Majko foli edhe në mbledhjen e grupit parlamentar socialist duke ritheksuar edhe një herë që PS- ja kërkon një debat publik ku të ketë ballafaqim me shoqërinë civile dhe ekspertët.
“Procesi i ndryshimit të Kushtetutës nuk mund të diskutohet si një ligj dosido. Nëse do të ecim me atë që dëgjojmë sot nga PD, i bie që ne duhet të shkojmë si grup parlamentar të votojmë në 6 Gusht për imunitetin dhe në shtator të votojmë disa ndryshime të tjera. Ne nuk jemi ulur në tavolinë me PD, për të thënë votoni nenet që propozojmë ne. I vetmi kusht që ne kemi përballë PD është se ne duam debat publik.
Ti mbrojnë në publik opsionet e tyre, ne jemi të hapur të mbrojmë opsionin tonë- tha Majko.
Rama: Ndërhyrjet në kushtetutë, serioze dhe të kujdesshme
Qëndrimin e opozitës e ka ritheksuar edhe një herë kreu i saj Edi Rama duke thënë se ndërhyrjet në Kushtetutë duhet të jenë të kujdeshme.
Në mbledhjen e grupit parlamentar Rama tha se akuzat në drejtim të partisë që ai drejton që nuk e do heqjen e imunitetit, apo kërkon të pengojë integrimin evropian janë të pabaza. Sipas tij heqja e imunitetit është kërkuar fillimisht nga opozita dhe ka qenë mazhoranca ajo që nuk e donte këtë gjë.
Nisma jonë fillon nga kufizimi i imunitetit, por nuk kufizohet vetëm me çështjen e imunitetit sepse ne besojmë që imuniteti në Shqipëri duhet të kufizohet dhe jemi absolutisht pro. Por, ne besojmë po ashtu, që ndërhyrja në Kushtetutë për kufizimin e imunitetit nuk duhet të kufizohet vetëm tek çështja e imunitetit. Muri që mbron të korruptuarit sot në Shqipëri, nuk është imuniteti kushtetues, po pushteti politik që ka kapur drejtësinë,- tha Rama.
Më tej kreu i selisë rozë tha se tani mazhorancës e vetmja mënyrë për tu shfajsuar i ka mbetur të akuzojë opozitën. Sipas Ramës nuk është opozita ajo që ka miliarderë që se duan heqjen e imunitetit, por është mazhoranca ajo që po vjedh mbi dhe nën tokë.
Të gjithë janë dëshmitarë të asaj cfarë Partia Socialiste, ka bërë kemi përgjatë një viti të tërë politik. Janë dëshmitarë të qasjes konstruktive dhe të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme, për të sjellë në gjendje normale draftet skandaloze të qeverisë. Të gjithë janë dëshmitarë të qasjes konstruktive dhe të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të zgjedhur një President të Republikës e jo të politikës së mbrapshtë të ditës. Edhe shqiptarët edhe ndërkombëtarët janë dëshmitarë të qasjes konstruktive e të përpjekjeve tona të jashtëzakonshme për të mbyllur Reformën Zgjedhore pa vënë veton për çdo gjë që sna pëlqente- vijoi Rama.
Në përfundim ai tha se vendi ndodhet në një periudhë të vështirë ekonomike pasi të ardhurat janë në rënie të vazhdueshme, ndërsa në nivelin vendor ska investime dhe në atë kombëtar janë ulur dhe vazhdojnë të ulen.
/IDEA/