Shëtitorja e vetme e Gjirokastrës pushtohet nga tregu industrial
Në Gjirokastër tregu industrial i pakicës prej 17 vitesh mban të pushtuar shëtitoren e vetme të qytetit duke e shndërruar atë në një grumbull kaotik çadrash. Të tjerë tregëtarë të kthyer nga emigracioni i janë shtuar këtij mjedisi së fundi duke zaptuar edhe trotuarin. Bashkia e qytetit prej të paktën 5 vitesh flet për zhvendosje të tyre në një tjetër mjedis të bazuar në planin urbanistik por ende nuk dihet koha kur do të ndërmerret ky aksion.
Shëtitorja e vetme e qytetit të Gjirokastrës pushtohet çdo ditë nga një mori çadrash, skeletesh druri , stendash, hekurishtesh dhe mjetesh rrethanore duke u shndërruar në mjedisin që prej 17 vitesh përfaqëson tregun industrial të pakicës. 200 tregëtarë me pakicë që shesin këtu prej vitesh nuk kanë lënë të lirë asnjë pëllëmbë të shëtitores për kalimtarët. Ndërkaq rreth 50 tregëtarë të tjerë kryesisht prej komunitetit rom të mbërritur se fundi nga emigracioni kanë pushtuar fillimisht një hapësirë të gjelbërt që ndan shëtitoren nga rruga për automjetet dhe më pas edhe trutuarin kryesor në anën tjetër të rrugës. Ata thonë se janë larguar nga policia pasi po bëhën pengesë për qarkullimin por janë të vendosur të mbajnë të njëjtin vend tregtimi deri në një vendim të bashkisë për zhvendosjen e gjithë tregëtarëve.
Bashkia ka 5 vjet për flet për një zhvendosje të mundshme të tregut në luginën përballë qytetit ose në lagjet periferike që po legalizohen rishtas por ende kryebashkiaku Flamur Bime nuk saktëson kohën kur do të ndodhë ky aksion. Madje ai flet për një pakt me të ardhurit rishtas të cilët paguajnë edhe taksën e vendit të tregëtimit.
“Ne kemi menduar dy vende optimale për tregun, një ndër ta është pranë unazës së madhe të qytetit e cila është duke përfunduar, por kjo gjë do të vendoset edhe në një bashkëbisedim me tregtarët”-thotë kryebashkiaku Bime.
Sa i takon krijimit të vështirësisë së madhe në qarkullim që shkakton pushtimi i çdo centimetri të shëtitores. Z.Bime thotë se Policia Bashkiake është përpjekur të lirojë rrugët, por se edhe ata gjendën në një situatë të vështirë.
Shëtitorja e vetme e Gjirokastrës e vendosur në lagjen më të populluar të saj është e ndërtuar në periudhn e komunzmit. Asnjë prej bashkive që drejtuan Gjirokastrën në dy dekada nuk pati angazhimin as ta restaurojë pasi ajo ka qenë vazhdimisht e pushtuar nga tregëtarët. Hapësira e ndërtuar për shëtitje ju kthehet qytetarëve çdo mbrëmje dhe ju rimerret çdo mëngjes.
/IDEA/
