E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shevçenko, askush s’e do më

Londër - Milani nuk e ka zgjatur huazimin e sulmuesit ukrainas dhe Shevës iu desh një marsh indietro për t’u kthyer në Londër te Çelsi i Abramoviçit. Por atje te Çelsi, do t’i duhet të përballet sërish me Karlo Ançelotin, ish-trajnerin e Milanit që e kalbi një vit nga pankina në tribunë. Domethënë situata në Londër është e njëjtë me atë në Milano; Sheva s’ka për të luajtur as në Stamford Bridge.

Lajmet që vijnë nga Franca e më saktësisht nga gazeta Aujourd'hui Sport, bëjnë fjalë për Marko Simonen, shokun e Shevës, që e ka ofruar lojtarin në disa ekipe franceze si Monako, Marsija dhe Lioni.

Por Marseja nëpërmjet trajnerit të ri Didië Deshamp ka refuzuar. Nga Monako askush nuk flet por sigurisht që ekipi i principatës s’mund t’ia paguajë rrogën ukrainasit. Ndërsa Lioni nuk ia ka aspak nevojën lojtarit.

I mjeri Shevçenko: i vetmi ngushëllim që i ka mbetur është prishja e kontratës me Çelsin. Vetëm, me Topin e Artë dhe golat e shënuar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›