Shfaqen pamjet e para të kosovarit të arrestuar në SHBA

Shfaqen pamjet e para të kosovarit të arrestuar në SHBA nën dyshimet për terrorizëm. Në këto pamje i riu kosovar Sami Osmakac që jetonte prej vitesh me familjen në Amerikë duket i ndikuar mjaft nga pikëpamjet religjioze.
Madje ai i revoltuar përleshet me disa njerëz vitin e kaluar pas një koncerti ku thekson se “ata që nuk besojnë në islam do të shkojnë në ferr”. Pas këtij revoltimi të 25-vjeçarit ndërhyn policia duke e arrestur. Fqinjët e familjes kosovare thonë se ai vitet e fundit është izoluar mjaft dhe ka shprehur pikëpamje ekstreme islame.
Sipas babait të tij, Samiu ka punuar në furrën e familjes në St. Petersburg deri para një viti kur shkoi në Turqi dhe u shndërrua në njeri mjaft religjioz. Osmakac i cili është nga Prizreni ka emigruar kur ishte 4 vjeç në SHBA ndërsa vitet e fundit ai është veshur me rroba që mbajnë muslimanët.
Ndërkohë i riu 25- vjeçar me origjinë nga Kosova u arrestua disa ditë më parë në SHBA pasi akuzohet se po planifikonte sulme terroriste. I riu emigrant nga konteja Pinellas në Florida, sipas raporteve në media, kishte ndërmend të godiste zona të mbushura me njerëz dhe për të çuar deri në fund planin e tij do të përdorte një auto-bombë, mitralozë dhe lëndë të ndryshme shpërthyese.
Të njëjtat raporte tregojnë se Osmakac ka blerë eksplozivë dhe armë nga një agjent i fshehtë i FBI-së, pa e ditur se ato ishin modifikuar në mënyrë të tillë që të mos funksiononin.
25-vjeçari, ish-banor i Kosovës i kishte kërkuar një muaj më parë agjentit në fjale një Kallashnikov e 10 granata dore. Pak pas prangosjes, Osmakac shpjegoi motivet që e shtynë drejt një komploti të tillë. Gjaku musliman është më i vlefshëm se i atyre që nuk besojnë në islam, ka rrëfyer shkurt ai, duke shtuar se kërkonte shpagim për të gjithë padrejtësitë e bëra muslimanëve.
E përditeshmja britanike Daily Mail shkruan se agjenti ia ka bërë të qartë Samiut se mund të ndryshonte mëndje. Por ai ka tundur kokën e i është përgjigjur: të gjithë do të vdesim një ditë, ndaj pse të mos vdesim sipas mënyrës muslimane.
Nëse shpallet fajtor, Osmakac mund të dënohet me burgim të përjetshëm dhe me 250.000 dollarë gjobë.