Shfaqet Albin Kurti: Procesi ndaj meje, persekutues
Ndërsa në gjykatën e Qarkut në Prishtinë mbahej seanca gjyqësore kundër udhëheqësit të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, ky i fundit dha një konferencë për media në selinë e “Vetëvendosjes”. Gjatë komunikimit të tij me mediat, ai theksoi se nuk do të shkojë asnjëherë në gjykatë për t’iu përgjigjur persekutimit skandaloz. Drejtuesi i “Vetëvendosjes”, ka ripërsëritur qëndrimin e tij se nuk do të paraqitet në seancat gjyqësore të organizuara nga EULEX, sepse ky proces nuk përket me drejtësinë, por me persekutimin që po ushtrohet ndaj tij, si nga strukturat e kaluara të UNMIK-ut e tani edhe ato të EULEX-it. “Ndaj meje nuk ka pasur asnjëherë proces të drejtësisë, por gjithmonë proces të persekutimit, ku gjyqësia përherë ka qenë më policore sesa vetë policia, si në kohën e UNMIK-ut, po ashtu edhe në këtë të EULEX-it. Unë nuk dua të shkoj në këto seanca, sepse nuk dua t’i ndihmoj këtij procesi kundër meje. Aty s’mund të ketë gjykim të drejtë, sepse EULEX-i është i padrejtë. Në Kosovë s’mund të ketë edhe gjyqësi të pavarur edhe EULEX”, ka thënë Kurti. Dhjetëra aktivistë të “Vetëvendosjes” ishin që me mëngjes në selinë e lëvizjes së tyre për të mbështetur drejtuesin e tyre dhe për të penguar ndonjë veprim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në rast tentimi për ta arrestuar Kurtin.