E Shtunë, 31 Tetor 2026

Firma e ndërtimit shemb muret rrethuese dhe garazhet gjatë natës, protestojnë banorët

DURRËS Banorët e zonës së Bërrylit në Durrës janë zgjuar të habitur kur kanë parë muret rrethuese dhe garazhet përpara shtëpive të tyre të shembura përtokë, ndërkohë që edhe oborret e tyre kanë qenë të shkatërruara. Fadromat e një firme ndërtimi në Durrës kanë ndërmarrë punime gjatë natës, me qëllim që deri në mëngjes të nivelonin të gjithë vendin ku kërkojnë ndërtimin e një kompleksi të ri pallatesh. Bëhet fjalë për zonën midis ndërtesës së universitetit “Aleksandër Moisiu” dhe pallatit shumëkatësh në drejtim të zonës së shëtitores “Taulantia”, aty ku prej vitesh jetojnë 10 familje. Familjet kanë ndërtuar shtëpitë e tyre në këtë zonë dhe aktualisht janë në proces legalizimi. Tre kamionë të mëdhenj dhe një fadromë kanë nisur të punojnë pak pas mesnatës së të dielës duke gdhirë dita e hënë. Aksioni është realizuar qëllimisht natën, pasi në këtë orë banorët nuk do të kishin mundësi për të reaguar. Shpejt e shpejt fadroma dhe kamionët kanë shembur muret rrethuese si dhe garazhin e njërës prej banesave që janë ndërtuar në anë të rrugës që të çon në Currila. Vetëm një prej banorëve ka dëgjuar zhurmat e punimeve, por nuk ka qenë në gjendje që të parandalojë situatën. Në mëngjes gjithçka ka qenë e shembur dhe firma e ndërtimit pothuajse ia ka arritur qëllimit për të realizuar një shesh ndërtimi. Banorët kanë reaguar në mëngjes, duke kërkuar ndihmën e policisë së rendit. Kjo e fundit i ka orientuar ata për të bërë denoncimin tek inspektorati ndërtimor vendor pranë Bashkisë së Durrësit. Shefqet Rama, pronari i garazhit të shembur, është shprehur se “ne jemi në proces legalizimi, kemi paguar një pjesë të lekëve, sipas ligjit, dhe presim që të marrim certifikatën e pronësisë. Firma e ndërtimit ka ardhur natën dhe në mënyrë të fshehtë ka shembur gjithçka. Për momentin ia arritëm që të bllokojmë punimet, por po shohim se ata nuk do të tërhiqen”. Një tjetër banore e zonës, Qerime Lumi, është shprehur se “jam zgjuar natën dhe kur dola pashë që po gërryenin tokën para shtëpisë, pasi murin e kishin shembur. Fillova të bërtas, duke iu thënë se do të shkoj në polici, por ata më kërcënuan se do të përfundoj në burg. Unë jam grua dhe të them të drejtën u frikësova. Nuk e kuptoj se çfarë ndodh këtu. Në këtë vend kam që në vitin 1975 që jetoj, madje këtu djali im vdiq nga shpërthimi i një bombe, nuk largohem nga këtu se ky vend është larë me gjakun e djalit tim”. Të gjithë banorët kanë dokumentet e legalizimit të ndërtimeve të tyre dhe nga korrespodenca që kanë pasur me ALUIZNI-n dhe Inspektoriatin Ndërtimor Urbanistik Vendor u është bërë e ditur se ata do të përfitojnë certifikatat e pronësisë sipas ligjit. Mjetet e firmës menjëherë pas urdhrit të Inspektoriatit Vendor e kanë ndërprerë punën, ndërkohë që asnjë përfaqësues i firmës nuk ka qenë dje në vendin e ngjarjes. A.K.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›