Shfrytëzimi i lumenjve, gjobiten 27 subjekte
Inspektorati i Mjedisit, në bazë të Vendimit të KKU, nr.1, datë 21.06.2006, “Për reduktimin e shfrytëzimit të zhavorreve dhe rërave në shtretërit e lumenjve”, sanksionon 27 subjekte që kanë abuzuar me shfrytëzimin e rërës dhe të zhavorreve në shtratin e lumenjve Erzen, Mat dhe Tërkuzë. Pas kontrollit që ka ndërmarrë Drejtoria e Kontrollit për Mjedisin, Inspektorati i Mjedisit, Sektori i Burimeve Ujore, ARM Tiranë, AUB Tiranë, Sektori i Policisë Pyjore në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka rezultuar se këto subjekte kanë pasur mangësi serioze në punën e tyre. Gjobat e vendosura në të gjitha subjektet kapin shifrën e 34 milionë lekëve, ndërkohë që për disa prej tyre kanë marrë masa për pezullimin e veprimtarisë. Sipas Ministrisë së Mjedisit, lumi Erzen cilësohet si një zonë e ndaluar për nxjerrjen e materialeve inerte. Kjo i bën të paligjshme të gjitha subjektet të cilat ushtrojnë veprimtarinë e tyre në këtë lumë. E njëjta situatë është vërejtur edhe në subjektet që operojnë në luginën e Matit dhe Tërkuzës, të cilat nuk janë të pajisura me një leje mjedisore apo leje për shfrytëzimin ujor që do të legjitimonin veprimtarinë e tyre.
#