E Diel, 1 Nëntor 2026

Shfrytëzimi i lumenjve, sekuestrohen mjetet që ushtronin aktivitet të paligjshëm

TIRANË - Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, në zbatim të ligjit për Inspektimin e Ndërtimit dhe për Rezervat Ujore si dhe detyrave funksionale të përcaktuara që rrjedhin nga to, me urdhër të Kryeinspektorit ka organizuar një aksion për kontrollin dhe shfrytëzimin e paligjshëm të disa baseneve ujore.

Gjatë ushtrimit të këtij aksioni, u kontrolluan basenet përgjatë shtretërve të lumenjve Mat, Drin, Kir dhe Erzen, ku rezultuan se 12 subjekte fizike/juridike shfrytëzonin materiale inerte gjatë periudhës së ndaluar.

Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar, në përmbushjen e përgjegjësive të parashikuara me ligj, i mbështetur nga Policia e Shtetit, Qarku Shkodër, sekuestroi të gjitha mjetet e kapura në flagrancë, duke zbatuar të gjitha procedurat ligjore në të 12 subjektet, të cilat ushtronin këtë aktivitet të paligjshëm, në nxjerrjen dhe shfrytëzimin e materialeve inerte në shtretërit e lumenjve.

Për të gjitha këto subjekte, Inspektoriati Ndërtimor Urbanistik Kombëtar vendosi sanksione administrative, gjoba në vlerë totale 24.000.000 lekë dhe të gjitha masat e nevojshme që ngarkon ligji, megjithëse shfrytëzimi i materialeve inerte në mënyrë të paligjshme nga shtretërit e lumenjve vazhdon të jetë një problem.

Me vendim të Këshillit të Ministrave dhe vendim të Keshillit Kombëtar të Ujit nga 1 Nëntori deri ne 31 Maj, nuk lejohet shfrytëzimi i asnjë baseni ujor në të gjithë Shqipërinë.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›