E Diel, 1 Nëntor 2026

Shifër rekord për vëzhgimin e zgjedhjeve, 5450 monitorues

KQZ-ja zbardh për “Albania”-n numrin e vëzhguesve shqiptarë dhe të huaj. Dita e zgjedhjeve do të monitorohet nga 550 vëzhgues të huaj

Albert Gjoka

Zgjedhjet e 28 qershor do të zhvillohen nën monitorimin më të madh të proceseve zgjedhore që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Ato do të kenë praninë më të madhe të vëzhguesve krahasuar edhe me zgjedhjet e vitit të mbrapshtë të 1997-s, apo edhe ato të vitit 2005. Burime zyrtare pranë KQZ-së i thanë “Albania-s” se deri ditën e enjte janë akredituar rreth 5450 vëzhgues, shqiptarë dhe të huaj. Sipas drejtorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, zotit Arben Idrizi, kanë paraqitur kërkesat për të qenë monitorues të procesit përfaqësues të OSBE/ODIHR-it, asambleve parlamentare të OSBE-së, NATO-s, KE-së, përfaqësues misionit diplomatik në Tiranë, anëtar të komisioneve qendrore zgjedhore të Kosovës dhe Maqedonisë e shumë organizata të tjera. Ai pohon se mes tyre ka edhe gazetarë të mediave të njohura botërore, si “BBC”, “ORF” apo edhe të televizioneve të vendeve të
tjera. Zyrtari i KQZ-së, i cili punon prej 9 vjetësh në këtë institucion, thotë se këto zgjedhje shënojnë numrin më rekord të vëzhguesve.
Vëzhgimi
Ashtu siç ishte paralajmëruar, vota e 28 qershorit do të monitorohet imtësisht dhe rreptësisht. Rreth 5450 palë sy do të fokusohen që nga nisja e procesit në mëngjesin e së dielës në ecurinë e votimeve, numërimin dhe deri në shpalljen e rezultateve. Burimet zyrtare pohojnë se ky proces do të ketë monitorues shqiptarë dhe të huaj më shumë se 820 të tillë krahasuar me zgjedhjet parlamentare të vitit 2005. Janë me dhjetëra organizata, institucione, përfaqësi diplomatike apo edhe grupe të veçanta që kanë zbarkuar, ose do të vijnë në Shqipëri deri ditën e diel. ODIHR-i do të ketë një numër prej 400 vëzhguesish afatshkurtër, të cilët do t’i bashkohen trupës prej 39 vëzhguesish afatgjatë që kryesohen nga ambasadorja britanike, Odrei Glover. Brenda misionit të ODIHR-it do të jenë edhe përfaqësues të ambasadave të vendeve perëndimore në Tiranë, që janë anëtarë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim.
Drejtori për Marrëdhëniet me Jashtë, zoti Idrizi, thotë se përveç misionit të ODIHR-it, vetë OSBE-ja ka akredituar 50 vëzhgues. Po ashtu, Ambasada Amerikane ka akredituar 34 vëzhgues që do të ndjekin procesin. Sipas Idrizit, të gjitha ambasadat e vendeve të BE-së, por edhe përfaqësitë e tjera diplomatike të akredituara në Tiranë, kanë paraqitur për interesat e tyre edhe 2 apo më shumë persona me statusin e vëzhguesit. Për të monitoruar zgjedhjet kanë paraqitur kërkesat për akreditim edhe media të njohura ndërkombëtare. Zyrtari i KQZ-së thotë se kanë mbërritur letrat nga kanali i njohur britanik “BBC”, “ORF”-ja, por edhe media të tjera.
Sytë në Tiranë
Burimet zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve pohojnë se ka përfunduar edhe akreditimi i vëzhguesve vendas, të cilët përbëjnë edhe numrin më të madh. Zoti Idrizi thotë se janë mbyllur edhe problemet teknike që dolën më parë në lidhje me statusin e tyre ligjor për ndjekjen e procesit të zgjedhjeve.
Që prej vitit 1997, kur OSBE/ODIHR dërguan në Shqipëri mbi 475 vëzhgues për të ndjekur procesin kur vendi ishte përfshirë nga trazira politike dhe ekonomike, nuk ka pasur një numër kaq të lartë vëzhguesish. Edhe viti 2005 shënoi një numër të lartë monitoruesish të huaj. Ishin mbi 600 persona që u akredituan në KQZ, ku 426 ishin të deleguarit e OSBE/ODIHR-it për të ndjekur procesin dhe për të certifikuar zgjedhjet. Tashmë është bërë publik fakti se të gjitha organizatat ndërkombëtare, ku është e anëtarësuar Shqipëria, do t’i kenë sytë në Tiranë dhe në të gjithë vendin më 28 qershor.

STATISTIKA

5450 – Numri total i vëzhguesve shqiptarë dhe të huaj në ditën e zgjedhjeve

4630 – Numri total i vëzhguesve shqiptarë dhe të huaj në zgjedhjet e 2005-s

550 – Numri total i vëzhguesve të huaj që do të jenë të pranishëm këtu

439 - Numri total i vëzhguesve të huaj që janë të përshirë me ODIHR-in

340 – Numri total i vëzhguesve afatshkurtër të misionit të ODIHR-it

20 – Numri i anëtarëve të misionit vëzhgues të Këshillit të Europës

34 – Numri i vëzhguesve që ka angazhuar Ambasada Amerikane në Tiranë

50 – Numri i vëzhguesve që ka aktivizuar përfaqësia e OSBE-së këtu

26 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›