Vleresimi i zgjedhjeve, nje kongresist amerikan perballe mikut te Berishes
Kongresisti Alcee Hastings emërohet zëvendësshef i misionit afatshkurtër të ODIHR-it. Hastings e konsideron procesin e lëshimit të kartave një “eksperiment” të qeverisë
Albert Gjoka
Fati i zgjedhjeve të 28 qershorit nuk do të jetë tërësisht në dorën e zotit Grosruk, i njohur si miku i Berishës dhe mbështetës i Partisë Demokratike. Në misionin afatshkurtër, që përbëhet nga rreth 400 monitorues të huaj, do të jetë edhe një amerikan, që mban postin e zëvendësshefit të ekipit të vëzhguesve, që duket se do të jenë përcaktues në deklaratën paraprake të zgjedhjeve që do të mbajë OSBE/ODIHR-i më datë 29 qershor. Burimet zyrtare të Komisionit Amerikan të Helsinkit bëjnë të ditur se kongresisti demokrat i Floridës, zoti Alcee Hastings (Alsi Hastings), do të jetë numri dy në ekipin e ODIHR-it që do të ndjekë të gjithë procesin e zgjedhjeve të datës 28 qershor. Hastings, i cili është bashkëkryetar i këtij institucioni, vjen në Shqipëri pas zhvillimit të një seance informuese për zgjedhjet në Shqipëri, i zhvilluar më 4 qershor në Uashington. Bashkëkryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit ka bërë një deklaratë dy ditë më parë, ku paralajmëron autoritetet e Tiranës që të mos nxitohen për të ndërmarrë ndonjë veprim të nxituar para zgjedhjeve në lidhje me dokumentet e identitetit. Kongresisti Hastings mbërrin sot në Tiranë për t’iu bashkuar ekipit prej 400 vëzhguesish. që drejtohet nga koordinatori special, Grosruk.
Emërimi
Kongresisti demokrat i Floridës, Alcee L. Hasting, njëherësh bashkëkryetar i Komisionit Amerikan të Helsinkit, do të marrë pjesë në misionin e vëzhguesve të ODIHR-it nga data 26-29 qershor në zgjedhjet në Shqipëri. Burimet zyrtare të kësaj organizate bëjnë të ditur se Hastings do të jetë zëvendësshef i Misionit Vëzhgues Afatshkurtër. Ndërkaq, austriaku Volfgang Grosruk do të drejtojë Misionin si koordinator special dhe do të mbajë deklaratën paraprake në emër të OSBE/ODIHR-it një ditë pas zgjedhjeve. “Këto janë zgjedhjet e para që shqiptarëve u kërkohet të votojnë me karta të reja identiteti ose pasaporta”, - thotë deklarata e publikuar dy ditë më parë në faqen e Komisionit Amerikan të Helsinkit. Sipas saj, “monitorimi paraprak nga OSBE-ja tregon sfidat që mbeten për vendin për të bërë zgjedhje të ndershme dhe të lira sipas standardeve ndërkombëtare”.
“Ekzistojnë deklarata se aplikimet për kartat e reja të identitetit janë plotësuar më shumë nga mbështetësit e Partisë Demokratike në pushtet”, - thuhet në njoftimin e kësaj organizate të njohur amerikane.
Deklarata
“Jam duke ardhur nga Florida dhe e di mirë se do t’u hiqet e drejta e ushtrimit të votës disa qytetarëve në ditën e zgjedhjeve në Shqipëri”, - thotë bashkëkryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit. “Kemi mbajtur një seancë informuese rreth zgjedhjeve parlamentare dhe dëgjuam shqetësimet në lidhje me faktin se zgjedhësit e regjistruar nuk do të kenë kohë që të marrin kartat e identitetit deri ditën e votimit”, - thotë kongresisti Hastings në deklaratën e publikuar më 24 qershor. Bashkëkryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit pohon se “sinqerisht shpresoj se eksperimenti i Shqipërisë me kartat e identitetit të mos u kushtojë heqjen e të drejtës së qytetarëve për të shkuar në qendrat e votimit”. “Problemet me zgjedhjet vazhdojnë të ekzistojnë dhe të dëmtojnë kredencialet demokratike të Shqipërisë”, - thotë Hasting. “Madje, nëse do të ndodhë ndonjë nxitim i minutës së fundit për të ndryshuar gjërat, ajo vetëm do të përsërisë modelet shqetësuese të zgjedhjeve të mëparshme; të mosndërmarrjes së veprimeve tërësisht të mjaftueshme për të bërë diferencën reale nga një sistem zgjedhor në tjetrin, në mbajtjen e zgjedhjeve të rregullta”, - përfundon deklarata e bërë nga kongresisti amerikan vetëm dy ditë para mbërritjes së tij në Shqipëri. Bashkëkryetari i Komisionit Amerikan të Helsinkit, organizata prestigjioze që është pjesë e OSBE-së, do t’i bashkohet grupit me 400 vëzhgues afatshkurtër të ODIHR-it, që drejtohen nga austriaku Grosruk. Hastigs do të jenë bashkë me koordinatorin special, Grosruk, ditën e hënë, më 29 qershor, si dhe me ambasadoren britanike Glover, në përpilimin e deklaratës paraprake për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Çështja e krerëve të misioneve monitoruese për zgjedhjet në Shqipëri është kthyer në një arenë pakënaqësish dhe kontestimesh. Zoti Berisha ishte i pari që kontestoi ambasadoren Glover në krye të misionit të vëzhguesve afatgjatë të ODIHR-it, por më pas u tërhoq dhe duket se ky veprim erdhi pas emërimit në krye të Misionit Afatshkurtër të austriakut Grosruk. Tashmë, mes krerëve të ekipit monitorues do të jetë edhe një kongresist amerikan, i cili vjen si një garanci më shumë për një vlerësim të paanshëm të standardeve të zgjedhjeve të 28 qershorit, që përcaktojnë dhe ecurinë integrimit euroatlantik të vendit tonë.
Seanca e Komisionit Amerikan të Helsinkit, shqetësim për kartat e identitetit
Në seancën e Komisioni Amerikan të Helsinkit për zgjedhjet në Shqipëri, e zhvilluar më 4 qershor në Uashington, u deklarua se qeveria po u vendos një barrë të padrejtë shqiptarëve në lidhje me kartat e identitetit. Ky komision përcolli me shqetësim faktin se në Shqipëri nuk janë zhvilluar kurrë zgjedhje të lira e të ndershme brenda standardeve demokratike. Në takimin e zhvilluar tri javë më parë morën pjesë njohës të mirë të çështjeve shqiptare, mes të cilëve kongresisti Eliot Engel, një nga mbështetësit e çështjes shqiptare në Uashington, Robert Benxhamin nga Instituti Demokratik Amerikan për Europën Lindore e Qendrore, Elez Biberaj, drejtor i Divizionit për Euro-Azinë në “Zërin e Amerikës” etj. “Të gjithë pjesëmarrësit ishin në një mendje, se këto zgjedhje janë sfidë për Shqipërinë, tani që vendi është anëtarësuar në NATO, por edhe për integrimin në BE”. Bashkëkryetari i Komisionit të Helsinkit, Hastings, tha se ekziston një shqetësim, se këto zgjedhje nuk do të zhvillohen sipas standardeve të OSBE-së. Ai ngriti edhe në seancën speciale për zgjedhjet problemin e identifikimit të votuesve, përfshirë edhe faktin se një numër zgjedhësish mbase nuk do të jenë në gjendje që të votojnë më 28 qershor për shkak të mungesës së dokumenteve që nevojiten për të marrë pjesë në proces. Dy prej panelistëve të seancës informuese, zoti Engëll dhe Robert Benxhamin nga Instituti Demokratik Amerikan për Europën Lindore e Qendrore, kanë vizituar Shqipërinë gjatë 6-mujorit të parë të këtij viti, pikërisht para se të paraqesin opinionet e tyre para kongresistëve amerikanë më 4 qershor.
Rezoluta: Interesat e SHBA-ve për Shqipërinë nuk përfunduan me hyrjen në NATO
Vetëm pak ditë më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshkallëzuan thirrjet për mbajtjen e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme në Shqipëri përmes një rezolute të përgatitur nga senatori demokrat, Xhon Kerri. Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë hartoi deklaratën për procesin zgjedhor të 28 qershorit, ku theksohet se interesi amerikan në Shqipëri nuk ka përfunduar vetëm me pranimin e Shqipërisë si anëtare me të drejta të plota në NATO. Sipas saj, “më shumë se kurrë, SHBA-të e kanë vëmendjen në zhvillimet demokratike në Shqipëri”. Në Rezolutë theksohet se SHBA-të presin dhe shpresojnë që zgjedhjet e 28 qershorit të jenë të lira, legjitime dhe të thellojnë demokracinë. Miratimi i kësaj rezolute shpreh interesin e madh ndërkombëtar që zgjedhjet në Shqipëri të zhvillohen në përputhje me standardet ndërkombëtare, në mënyrë që Shqipëria të tregojë se e meriton anëtarësimin në NATO dhe synimin e saj për të marrë statusin e vendit kandidat në BE. Rezoluta e përgatitur nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë mban firmën e senatorëve të njohur Xhon Kerri, Dik Lugar, Benjamin Kardin, Xhejn Shahin, Ted Kaufman dhe Xho Liberman, ku shumica e tyre kanë njohje të thella për proceset demokratike në vendin tonë.
Grosruk “vulos” zgjedhjet, kompensim për pakënaqësitë e Berishës për znj. Glover
Zëvendëspresidenti i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, zoti Volfgang Grosruk, i njohur ndryshe edhe si mik i kryeministrit Berisha, do të bëjë të ditur publikisht edhe deklaratën paraprake për zgjedhjet më 28 qershor. Emërimi i tij është bërë më 19 maj, vetëm disa javë pas pakënaqësive që shprehu kryeministri i vendit për kandidaturën e ambasadores Glover, e cila u caktua nga ODIHR-i në krye të Misionit të Vëzhguesve Afatgjatë. Zoti Grosruk që do të jetë edhe shefi i misionit prej 400 vëzhguesish afatshkurtër të organizatës, do të shpërndajë deklaratën paraprake paszgjedhore të OSBE/ODIHR-it, e cila do të mbështetet në të dhënat e grumbulluara nga parlamentarët, vëzhguesit afatshkurtër që vijnë nga shtetet pjesëmarrëse të organizatës dhe vëzhguesit afatgjatë të ODIHR-it.
Austriaku Grosruk ka një histori të gjatë bashkëpunimi me Shqipërinë dhe veçanërisht me zotin Berisha, që nis që me zgjedhjet e vitit 1996. Kur e gjithë bota u shpreh me kritika të forta për standardet e zgjedhjeve parlamentare të 26 majit, vetëm zoti Grosruk e vlerësoi pozitivisht procesin; madje, në ndryshim edhe nga raporti paraprak dhe ai përfundimtar i OSBE-ODIHR-it, i cili jepte në mënyrë të detajuar shkeljet skandaloze që u bënë. Ish-kryetar Bashkie i Griskirshen, një qytet i vogël në Austri dhe mik personal i Berishës, ai ka folur shpesh publikisht në përkrahje të PD-së, duke përdorur një fjalor therës ndaj “ish-komunistëve”, siç i quan ai socialistët shqiptarë. “Më duhet të them se zgjedhjet (e 26 majit, shën. ynë) ishin cilësore dhe korrekte”, - deklaronte Grosruk në konferencën e tij të shtypit menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 1996, i cituar nga agjencia britanike “Rojter”. “Jam i kënaqur që nuk vura re incidente në zonat që vizitova. Nuk vërej asgjë që të më shtyjë të besoj se zgjedhjet ishin jokorrekte”, - tha ai pak ditë më vonë, pas kthimit në Vjenë. Ai shtoi gjithashtu se për të ka qenë e qartë, shumë para mbylljes së qendrave të votimit, se opozita do t’i braktiste zgjedhjet. Sipas z. Grosruk, gjithnjë i cituar nga Rojter-i, këto zgjedhje shënuan “fitoren e demokracisë dhe të reformave të tregut të lirë”.
26 Qershor 2009