Shinat e institucionalizmit
Partia Socialiste kërkon transparencë të mëtejshme për zgjedhjet. Pra, në një farë mënyre, duke dashur të rilexohen fletët e votimit, nënkupton një lloj mbiverifikimi të procesit zgjedhor dhe të rezultateve të tij.
Të kërkohet që ligja elektorale të jetë sa më demokratike dhe t’i japë hakun gjithkujt, këtu nuk ka asgjë të keqe, përkundrazi. Zgjedhje të tjera kemi përpara në vitet që do të vijnë. Koha politike është e gjatë. Por, këtu nuk kam qëllim t’i hyj këtij diskutimi. Ndofta kemi të bëjmë me objektiva politike që nuk duhen paragjykuar aspak, por parë qetë dhe me maturi. Opozita ka vend të dëgjohet me kujdes sepse gjithsesi është pjesë e dialogut demokratik.
Në rrugën e zgjedhur për të arritur qëllimet politike të vendosura para saj, janë adaptuar disa metoda, të cilat kur ndjekin pas njëra-tjetrën me të njëjtën logjikë, kur përforcohen në vijë të drejtë apo mbivendosen ndaj njëra-tjetrës, nisin e bëhen më të rëndësishme sesa vetë realizimi i objektivave strategjikë. Teknikaliteti i luftës politike mund të peshojë më shumë sesa vetë objektivat strategjikë të vendosur.
Thënë më shkoqur, lidershipi socialist, ka vend t’i japë përgjigje një pyetjeje, ndofta asaj më qendrores:
Mos në zjarrin e luftës politike po del pa kuptuar përtej shinave të institucionalizimit formal?
Le t’i marrim faktet një e nga një.
Fakti i parë, bojkoti parlamentar. Prej disa javësh Parlamentit i mungon krahu i majtë opozitar. Nuk është se po vuan Kuvendi, puna është se opozita gjendet e privuar nga mundësia për të qenë në vendin e vet të natyrshëm, pra në foltoren e Parlamentit.
Kush mund ta argumentojë në mënyrë bindëse se për çfarë arsyeje qëndrimi jashtë Parlamentit është më efikas, si mjet lufte politike, sesa aktivizimi i opozitës brenda tij?
Nuk besoj se ka përgjigje të qartë për këtë. Megjithatë, po të mbetej një fakt i veçuar, edhe mund të kuptohej, pra nëse do të ishte një politikë e përkohshme.
Mirëpo mosnjohja institucionale e Parlamentit të tanishëm godet edhe statusin institucional të vetë deputetit si i zgjedhur nga populli. Pra, kemi një fakt të dytë jashtinstitucional.
A mund të ketë një vendim partie legjitim që ta pengojë deputetin të shkojë në Parlament?
Nuk besoj të duket e natyrshme një përgjigje pohuese, sepse kështu disiplina partiake, gjithsesi një fakt privat, do të vihej mbi detyrat dhe statusin e deputetit që përcaktohen institucionalisht nga Kushtetuta dhe i gjithë kuadri ligjor i vendit. Më duket se deputeti e ka për detyrë juridike parësore dhe të panegociueshme të shkojë në Parlament, këtu është i detyruar, përndryshe të japë dorëheqjen. I lirë është vetëm që pasi shkon në Parlament të mbajë atë qëndrim që e gjykon të arsyeshëm. Deputeti nuk është vetëm përfaqësues i një partie, pasi ai zgjidhet. Ai përfaqëson të gjithë elektoratin e zonës së tij, pra ka një legjitimitet që e tejkalon jashtë mase varësinë e tij partiake.
Shohim deputetë që japin deklarata buzë mureve rrethuese të institucioneve, para oborreve të tyre, në rrugë, kur në të vërtetë vendi i tyre i natyrshëm nuk është rruga, por institucioni. Edhe e konsiderojnë veten deputetë, edhe nuk shkojnë në Parlament. Duket sikur vijnë përqark ndërtesave të institucioneve, Kuvendit, Kryeministrisë, Ministrisë së Jashtme, nën trysninë e kamerave, edhe me dëshirën për t’u futur, edhe me frenimin që nuk i lejon të futen. Është e sigurt që kjo sjellje e dyzuar nuk mund të vazhdojë gjatë. Dëshira personale e deputetëve për t’u ulur në karriget e Kuvendit duket që tutje që është e fortë.
Këtu na ofrohet edhe një fakt i tretë që dëshmon edhe një herë se kemi adoptim të një rruge jashtinstitucionale. Duke mos u njohur rezultati i zgjedhjeve dhe duke kërkuar transparencën postume të tij, shmangen disa hallka institucionale që kanë pasë qenë ngarkuar me përgjegjësi juridike për të miradministruar procesin elektoral, sidomos anëtarët socialistë të komisioneve të qendrave të votimit, që në atë kohë përfaqësonin agjenci institucionale.
Edhe ata anashkalohen.
Do të kishte qenë shumë herë më mirë që procesi zgjedhor të kontestohej ende pa dalë rezultatet e tij. Pra, të kritikoheshin ato shfaqje që anashkalonin ose nuk respektonin normat institucionale të vendosura për procesin elektoral dhe jo pasi doli rezultati i zgjedhjeve. Reagimi i vonshëm, pra pasi rezultati u bë i njohur, të krijon idenë se kemi pasur të bëjmë me një pritshmëri dhe një sjellje politike që gjykonte atëkohë thjesht produktin e një procesi normativ dhe jo rregullin institucional, jashtë çdo interesi partiak.
Mblidhen firma për t’i propozuar Kuvendit një nismë ligjore që kërkon transparencë për zgjedhjet. Mirë e bukur. Gjëja më e vlefshme që mund të kërkohet kur thërritet qytetari në hapësirën politike. Por le të mos harrojmë se kur u bënë ndryshimet kushtetuese përpara një viti, dy partitë e mëdha e gjykuan që ta ndryshonin Kushtetutën, duke evituar që aty t’i fuste hundët qytetari. Qytetari u duk i tepërt, ndërkohë që rregulla bazë institucionale kërkonte që me po atë procedurë që aprovohet një normë ligjore bazë, me po atë normë edhe duhej ndryshuar ajo. Pra, me referendum.
Ishte megjithatë një Kushtetutë e aprovuar pas një referendumi qytetar. Tani çfarë kuptimi ka që kur dëshiron i thua qytetarit “më lër rehat”, pikërisht kur duhet pyetur, dhe më pas, e thërret për nisma ligjore, pasi e ke braktisur në nismat kushtetuese.
Edhe këtu kemi një dalje nga kuadri institucional i një demokracie përfaqësuese duke kërkuar “aksionin direkt” të masave. Që ligja elektorale duhej të ishte krejt ndryshe – kjo dihet, e kemi kërkuar shumë muaj më parë, pikërisht atëherë kur përfaqësuesit e Partisë Socialiste dilnin në televizione dhe mbronin pa shumë bindje e pa argumente një kuadër normativ që paraqiste probleme. Edhe që elektorati mund të kërkojë me peticione ndërmarrjen e një nisme institucionale, ligjore – edhe kjo nuk ka asnjë të keqe.
Shqetësimi qëndron gjetiu. Disa muaj më parë, sikurse u tha më sipër, votohet një kuadër ligjor edhe nga vetë opozita, ligja zgjedhore dhe tani kërkohet të mobilizohet qytetari në forma direkte, për të ndryshuar një ligj që dikur ka pasur si legjitimitet juridik një lloj konsensusi midis Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste. Duket sikur thirrja në skenë e qytetarit nga lidershipi partiak merr pamjen e një kundërvënie midis qytetarit dhe establishmentit politik të të gjithë krahëve që përfaqësohen në Parlament. Duket sikur nënvleftësohen edhe vetë deputetët socialistë, që janë përfaqësuesit e elektoratit të majtë opozitar në institucionet e shtetit.
E kush nuk mbledh mijëra firma sot në Shqipëri, për çdo gjë! Puna është se po t’i hyjmë kësaj rruge, nuk do të dalim kurrë që andej. Shoqëria do t’i dalë nga kontrolli politikës. Pastaj, Partia Demokratike mund të mbledhë mijëra firma të tjera për të kërkuar anulimin e nismës ligjore të kërkuar nga firmadhënësit e mobilizuar nga opozita... Do t’i hynim një loje të pafund.
Ndërkaq, edhe po u aprovua një ligj i tillë, ai ka rol për të ardhmen, por nuk mund të ketë fuqi prapavepruese.
Që drejtues të lartë të një partie politike të mos jenë dakord me vlerësimet e dhëna nga ndërkombëtarët në forma institucionale dhe individuale, kjo është gjëja më normale dhe e pritshme në botë. Mirëpo, kur sulmohen individualisht përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare, për çështje hipotetike të karakterit moral, të lidhjeve të tyre miqësore etj., këtu përsëri kemi të bëjmë me daljen nga institucionaliteti. Nuk ka përse të merremi me individët dhe miqësitë e tyre, por me pozicione institucionale. Nuk ka kuptim të bëhet një “poçes intencioni” ndaj përfaqësuesve ndërkombëtarë në Shqipëri.
Fakti tjetër që flet për një rrezik daljeje nga shinat institucionale lidhet me refuzimin e pjesëmarrjes në zgjedhjet e parakohshme të pjesshme lidhur me krerë të ndryshëm të pushtetit lokal. Çfarë lidhjeje ka bojkoti parlamentar me mospjesëmarrjen në ato zgjedhje? Nuk gjej dot asnjë lidhje. Tjetër është procesi elektoral parlamentar, tjetër janë raportet politike në plan kombëtar dhe krejt tjetër zgjedhjet për kryetar komune. Nëse nuk ka vend për ta njohur shtetin dhe procedurat konstitutive të tij, sikurse lë të nënkuptosh mospjesëmarrja në zgjedhjet lokale të radhës, atëherë kjo gjë mund të shkojë shumë larg. Mos nuk duhen pranuar edhe financimet që vijnë nga pushteti qendror? Kush ka të drejtë ta privojë elektoratin socialist të atyre komunave nga konkurrimi dhe shprehja e vullnetit elektoral. Kush është parësore, partitë apo elektorati?
Lidhur me të gjitha këto fakte nuk mund të mos vihet re se ka shenja të qarta të largimit nga loja e rregullave formale të kontestimit opozitar që na duhet së tepërmi dhe na mungon tërësisht në rrugë institucionale.
Po mungon ethshëm përqasja institucionale, formaliste, e politikës. Po shtohen taktikat që frymëzojnë qëndrime dhe veprime, të drejta ose të gabuara, por që dalin gjithnjë e më shumë jashtë kuadrit institucional. Ndihet që dashje pa dashje ka përdorim të një gjuhe përtej-institucionale, e cila sado që duket radikale, e ka të vështirë të ketë efikasitet në formë rezultatesh të arritura, ndërkohë që e gjithë veprimtaria e shtetit bëhet brenda institucionesh.
Ka vend të mendohet. Ndërkohë që hapësira politike shtrihet më së shumti brenda institucioneve, mundësitë e veprimit janë po aty, po shtohen sjelljet, praktikat dhe deklaratat që kanë si bazë refuzimin e institucioneve. Duket sikur një hap i parë i daljes nga shinat e institucionalizmit sjell të tjerë pas tij në forma rrëshqitëse. Kostoja e rikthimit në shina do të ishte gjithnjë e më e madhe.