Skenari i keq dhe skenari më pak i keq për PS-në
Partia Socialiste ndodhet përballë një ndarjeje tjetër, e cila do të përvijohet përgjatë deputetëve të saj që do të hyjnë në Parlament dhe atyre që mbështesin kauzën e Ramës për ta bojkotuar atë.
Partia e unitetit të madh dhe demokracisë së madhe brenda saj tashmë ka perënduar. Të dyja cilësitë e mësipërme nuk mund të bashkëjetojnë më. Ithtarët e demokracisë së brendshme, kryesisht figura të traditës së 15 viteve të fundit në PS-së, do të vazhdojnë të ushtrojnë demokracinë e tyre, ndërsa ithtarët e unitetit të madh, kryesisht politikanë të profilizuar tri vitet e fundit apo biznesmenë pa profil politik, do të ushtrojnë të drejtën e unitetit, që po ashtu e ofron Partia Socialiste. Është ndeshja e dy përcaktimeve etike brenda një partie, e cila po vë në dilemë profilin e partisë më të madhe të opozitës. Ata të unitetit kanë vendosur të jetojnë me unitetin dhe ata të demokracisë kanë vendosur të jetojnë me demokracinë pa i përshtatur dhe pa i lidhur njëra me tjetrën. Rrjedhimi mund të jetë i paparashikuar dhe shumë më tepër do të buçasë fundi i ndeshjes sesa fillimi i saj.
Edi Rama ka në dorë vetëm njërën anë të PS-së, atë të unitetit dhe nuk ka kurrfarë pushteti te pjesa tjetër, ajo e demokracisë. Ai do ta forcojë edhe më tej unitetin dhe duke e forcuar atë e duke ngushtuar mundësitë për të shtuar kapacitetet e unitetit. Dhe dihet që uniteti në kushtet e lirisë politike është më i fortë sa më pak njerëz të kontribuojnë në të.
Kështu, dalëngadalë të tjerë deputetë nuk do të ndihen komodë nën rrasën e gurit, qoftë për shkak të nevojave, ta zëmë biznesmenët, e qoftë për shkak se uniteti i fortë ka kushte të forta, që pak njerëz mund t’i plotësojnë ato. Biznesmenët e PS-së nuk janë pak, por të paktën njëzet të tillë, që më shumë se për shkak të ndjeshmërisë politike, ata janë lidhur me PS-në apo qoftë vetëm me Edi Ramën për plotësimin e nevojave të tjera që lidhen me biznesin. Ata nuk mund të plotësojnë këto nevoja duke artikuluar politikë dhe duke kontribuar në vendime politike, produkti i të cilave mund t’i rrezikojë seriozisht qëllimet pse ata janë futur në listat e deputetëve.
Nuk është e thënë se ata do t’i bashkohen grupit të mendimit ndryshe, por ata nuk do të qëndrojnë te pjesa e unitetit. Pa bërë politikë, bile pa bërë edhe demokraci, pa denoncuar Ramën dhe pa lavdëruar të tjerët, do të nisen lehtë-lehtë për në Kuvend, në mënyra të ndryshme, duke krijuar parti të reja si në rastin e Idrizit apo duke transferuar parti joparlamentare në parlamentare, një skemë e afërt me atë të demokristianëve në legjislaturën e kaluar. Ata nuk kanë nevojë qëllimin, kanë nevojë mjetin-Kuvendin dhe për ta është mjet ajo që për politikanët është qëllim. Secili prej tyre mendon se Edi Rama mund të humbë Bashkinë e Tiranës pas më pak se dy vitesh, çka do të zbehë njerëzit e unitetit dhe për më shumë mund ta bëjë të panevojshëm atë. Ata që bëjnë politikë, dinë si të sillen në këto raste, por ata që bëjnë biznes, nuk u mbetet alternativë.
Të paktën, pesë deputetë: Arben Malaj, Ben Blushi, Kastriot Islami, Marko Bello, Andis Harasani kanë paralajmëruar hyrjen e tyre në Parlament, një vendim logjik i përcaktimeve të tyre. Kjo u hap rrugën edhe të tjerëve të ndjekin ritmin që tërheq më shumë. Parlamenti tërheq më shumë sesa bojkoti. Ky veprim shkarkon bateritë e Ramës edhe më, duke e lënë atë krejtësisht pa ithtarët e demokracisë së brendshme, por vetëm me ithtarët e unitetit. Në këtë moment Partia Socialiste është e ndarë me siguri në dy pjesë, bashkimi i së cilës kërkon marrëveshje, lëshime prej dy palëve dhe rindarje të pushtetit brenda saj. Rindarja e pushtetit destrukton ithtarët e unitetit shumë më tepër se u duhet të lëshojnë në parimet e atyre ithtarët e demokracisë së brendshme. Nëse PS mbetet vetëm me një palë, me ata të Ramës, atëherë edhe pala që mbetet, edhe pala që ikën, janë pak a shumë si LSI-ja për nga madhësia.
Ky është skenari më ekstrem, por të gjithë skenarët e tjerë më pak brutalë përjashtojnë qëndrimin jashtë Parlamentit. Sa më gjatë të qëndrojnë jashtë tij, aq më shumë hyn në fuqi skenari ekstrem. Por, sa më gjatë të qëndrojnë jashtë e pastaj të hyjnë në Parlament, sërish e keqja nuk zhduket, por vetëm bëhet me pak e keqe.