Gjana: Jo ndarje postesh, PD s’mund të ketë dy pole
ADI SHKEMBI
Anëtari i kryesisë së PD-së, Jemin Gjana, del kundër ndarjes së posteve, por shton se disa prej sekretarëve duhet të vendosin vetë nëse do t’i lënë ato. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, ai flet për zgjedhjet në PD dhe rimandatimin e Kryeministrit Berisha.
Ditët e fundit ka një debat në PD, lidhur me ndarjen e posteve. Ndonëse ka edhe një muaj deri në mbajtjen e Kuvendit, në gjykimin tuaj, a duhet të ketë ndarje postesh dhe në çfarë niveli duhet shtrirë ky proces?
Më shumë ka një lloj stisje mediatike sepse unë nuk jam i sigurt ku e gjejnë modelin ata që pretendojnë se duhet të krijojnë dy pole në një parti në pushtet. Cili është modeli? I kujt partie? Një forcë politike lufton të fitojë zgjedhjet dhe kjo e ndryshon një parti nga organizatat joqeveritare. Një forcë politike shkon në zgjedhje, i fiton ato dhe pastaj dhe ajo transferohet me shumicën e individualiteteve në drejtim të strukturave të ekzekutivit. Në këtë pikëpamje, unë nuk gjej ndonjë model suksesi në të cilin një grup i individualiteteve shkojnë për të drejtuar qeverinë, parlamentin dhe agjencitë e tjera të rëndësishme, dhe një grup tjetër individualitetesh qëndrojnë te partia dhe krijojnë dy pole për të qeverisur vendin. Nuk qeveris më partia pasi fiton zgjedhjet, por strukturat drejtuese të një vendi në nivele të ndryshme të pushtetit. Në këtë pikëpamje, unë nuk mendoj se individualitetet më të rëndësishme të partisë që pasi ajo fiton zgjedhjet shkojnë në drejtimin e punëve të shtetit, duhet të lënë funksionet në parti dhe një grup tjetër të marrë këto funksione.
Po, por si mund të veprohet?
Unë kam qenë i kësaj pikëpamje edhe para dy vitesh, kur u shtrua kjo çështje, që partia duhet të vazhdojë të funksionojë. Partia përveç kryetarit, nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm, ka edhe sekretarët që zgjidhen në Këshillin kombëtar. Unë vetë kam qenë sekretar organizativ para zgjedhjeve të 2005 dhe kur u bëra ministër e kam lënë funksionin, sepse kam gjykuar që nuk i përballoj dot të dyja detyrat dhe për këdo që mendon se nuk i përballon detyrat edhe në drejtimin e një pune në strukturat e partisë dhe të qeverisë, duhet ta bëjë vetë këtë lloj ndarje. Do të ishte në të mirë të punës që disa nga funksionet e sekretariateve që kanë të bëjnë me organizimin e partisë, me menaxhimin e burimeve njerëzore sepse ndryshimi i pushteteve sjell rikonceptime dhe ndryshimeve të burimeve njerëzore në drejtim të strukturave, në sekretariatin që ka të bëjë me marrëdhëniet me publikun, sekretariatin me organizatat partnere, janë poste, drejtuesit e të cilëve do të ishte në të mirë të punës (por kjo nuk ka pse të jetë definicion i prerë statusor sepse mund të ketë një njeri që merr përsipër t’i bëjë të dyja detyrat deri në 4 në zyrat e shtetit dhe çdo mbrëmje në punët e partisë), nëse jo funksionet e këtyre sekretariateve mendoj se duhet të kenë persona të cilët të kenë më pak angazhime të tjera për të qenë te partia. Sepse partia ka nevojë të funksionojë, me burimet njerëzore të saj, të përmirësojë komunikimin me degët në qarqe, të komunikojë me organizatat partnere. Këto grupe mund të rrinë dhe të bjerë ajo klisheja se zyrat e partisë mbeten mbyllur.
Anëtarët e kryesisë që e mbrojnë tezën e ndarjes së posteve, e argumentojnë me faktin se partia duhet të jetë aktive dhe duket sikur kanë të drejtë po të kihet parasysh fakti që në katër vitet e kaluara PD më shumë i ka pasur të mbyllura sesa të hapura dyert e saj?
Nuk besoj se s’ka pasur jetë aktive partia. Në çdo katër vjet, një force politike në Shqipëri i duhen 3 vite me aktivitet partiak: një vit janë zgjedhjet e përgjithshme, një vit zgjedhjet në parti dhe një vit zgjedhjet e pushtetit lokal. Filloi mandati i 2009, në 2011 janë zgjedhjet e pushtetit lokal, derisa të mbarojë me këshillat e qarqeve, fillon përgatitja e kuvendit të partisë, pastaj janë zgjedhjet e përgjithshme.
Kuvendi i PD-së më në fund do të mblidhet në dhjetor, ndërkohë që sipas statutit ai duhej të mblidhej brenda majit. Përse u bë gjithë kjo shtyrje, kishte një farë frike se mund të kish përplasje për postet që mund ta dëmtonin partinë në zgjedhje?
Nuk kishte frikë për përplasje, por u vazhdua me gjithë konferencat e degëve të partisë dhe për herë të parë ndryshuam gjithë strukturimin e partisë sepse e përshtatëm me modelin e ri të kodit elektoral. U vonua procesi dhe shkoi gjatë. U afruam në prag të zgjedhjeve dhe skish më kohë dhe mundësi për të gjitha llojet e arsyeve që ne në kohën që kishim filluam të merreshim me fushatën zgjedhore të merreshim me fushatën brenda partisë. Natyrisht një parti politike i mendon edhe problemet, sepse nuk është ndonjë sekret për ta thënë që në një proces zgjedhor politik partiak ose jo partiak në zgjedhje të përgjithshme apo lokale, ka të kënaqur dhe të pakënaqur. Kjo s’është çudi, ndodh gjithë andej. Menaxhimi i pakënaqësive që krijohen për shkak se kërkesat janë më të mëdha se ofertat, disa e kuptojnë ose e mirëkuptojnë dhe disa jo dhe ky nuk duhet të jetë momenti i fushatës së zgjedhjeve të përgjithshme për kuvendit. Edhe në zgjedhjet e dhjetorit, jo të gjithë do të zgjidhen. Nuk duhet konceptuar si ndonjë gjë tragjike. Duhet gjetur momenti i përshtatshëm për të bërë zgjedhje dhe për të kaluar lehtësisht problemet që kalohen.
Në Kuvendin e PD-së, duket se vetëm Berisha do të jetë kandidat për kryetar...
Në këtë periudhë 20-vjeçare, shumë herë është shkuar me dy kandidatura, ka pasur raste edhe me një kandidaturë. Nuk kam ndonjë informacion për ndonjë kandidaturë tjetër të shfaqur, do të dalin nga propozimet e kuvendeve në të gjitha rrethet. Mund të shkohet edhe me një kandidaturë siç edhe është shkuar herët e tjera, si shumë nga partitë politikë që zhvillojnë zgjedhjet. Ka dy modele, njëri që është i paraditur, një njeri që do të marrë drejtimin ose do rimarrë drejtimin e partisë. Po të vësh re kongreset e partive të djathta evropiane, kur vjen puna për të zgjedhur drejtuesit e partisë, gati-gati gjërat janë të paracaktuara dhe nuk besoj se ka argumente që Berisha të mos vazhdojë të mbajë drejtimin e PD-së. Nuk ka asnjë argument për këtë. Ka edhe një model tjetër, kur ka gara të ashpra veçanërisht në Partinë Socialiste dhe është shkuar në votime të tensionuara. Është luftuar nga një individ tjetër dhe ka ndodhur që ai ka marrë drejtimin e partisë, pavarësisht mënyrës.