Braçe: Dokumenti i Bodes, Prokuroria të nisë hetimet për Durrës-Kukës
Partia Socialiste përsëriti sërish dje kërkesën në adresë të organit të akuzës për nisjen e hetimeve ndaj Kryeministrit Sali Berisha dhe ministrave Lulzim Basha dhe Sokol Olldashi për punimet e kryera në rrugën Rrëshen-Kalimash. Deputeti i PS-së, Erjon Braçe në deklaratën e djeshme për shtyp tha se: “Kontrata e Qeverisë me kompanitë ka qenë për vlerën 416 mln euro, Sokol Olldashi e ka çuar vlerën fillimisht në 520 mln euro, Sokol Olldashi e ka çuar vlerën sërish në 740 mln euro, FMN nga të dhënat e saj vënë në dispozicion nga qeveria, e tregon faturën në 826 mln euro. Ky është abuzimi me qindra milionë euro! Sot ne po ju japim faktin e ri: Burimi: Ministria e Financave, referenca kohore: 6 muajt e parë të këtij viti””, deklaroi Braçe. Sipas tij, ky dokument tregon se “kostoja për një kilometër, në 6 muajt e parë të vitit, është rritur nga 826 mln lekë në 1.5 mld lekë të rinj, ose nga 8.9 mln USD në 16.3 mld USD!”. “Mjafton vetëm ky dokument i Ministrisë së Financave, që prokuroria të nisë hetimet kryesisht, për të gjithë aktorët e këtij operacioni kriminal. Tuneli është pjesa më e madhe e shpenzimeve në këtë rrugë. Ai zë gati 60% të kostos së rrugës e pavarësisht kësaj ai po bie, e vërtetë, në mënyrë frekuente, por në mënyrë skandaloze po të shohësh paratë e paguara për garancitë teknike për punën, të vendosura për të në kontratë!”, theksoi Braçe.