E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shit-blerja e pronës, procedura dhe kostoja e aktit noterial



Kërkon të blesh një pronë? Apo ta shesësh, apo ta marrësh me qera? Nuk ka rëndësi, pasi mund edhe të kërkosh të bëhesh pjesë e një shoqërie si aksioner, e megjithatë shumëpak e dinë se për të vërtetuar këto veprime ka kosto standarde që i duhen paguar noterit. Të gjithë ata persona, të cilët duhet të kryejnë transaksione me pronat e tyre, qofshin këto të luajtshme apo të paluajtshme duhet të paguajnë disa tarifa të përcaktuara me ligj te noterët. Shuma që duhet të paguhet për këto veprime është në varësi të madhësisë si dhe të vlerës së objektit. Këto tarifa janë të përcaktuara nga Këshilli i Ministrave dhe vazhdojnë të jenë të pandryshuar. Nga ana tjetër edhe vetë noterët për të bërë aktet noteriale janë të detyruar që të zbatojnë me përpikmëri të gjitha këto tarifa. Ndërkohë që në rast se konstatohen shkelje në zbatimin e tyre atëherë noterët do të ndiqen penalisht.
Truall
Nje objekt, i cili ka një vlerë monetare që varion nga 1 milion deri në 3 milionë lekë dhe kjo banesë do të shitet nga pronari, ky i fundit do të bëjë një akt noterial, i cili do të kushtojë 3500 deri në 7 mijq lekë. Por me rritjen e vlerës së objektit apo tokës, rritet edhe tarifa e pagimit të një kontratë apo akti noterial. Kështu nëse vlera e një objekti varion nga 3 milionë deri në 4 milionë lekë, tarifa e aktit shkon deri në 8500 lekë. Ndërkohë në rast se ky çmim i objektit arrin nga 10 milionë lekë deri në 15 milionë lekë, atëherë vlera e një pasurie të paluajtshme noteriale është 23 mijë lekë. Nëse varion nga 70 milionë deri në 100 milionë tarifa e aktit noterial shkon deri në 100 mijë lekë. Për një shumë të madhe, pronarit të truallit, apo të një objekti dhe nëse vlera e këtij të fundit shkon në mbi 100 milionë lekë, i duhet të paguajë aktin noterial 150 mijë lekë. Këto janë tarifa bazë dhe të gjitha këto shuma llogariten përpjesëtimisht.
Të luajtshme
Ndryshe nga pasuritë e paluajtshme, tarifat e akteve noteriale për pasuritë e luajtshme kanë një menyre tjetër llogaritjeje. Kështu, nëse shuma që ka në dorë personi është nga 5 mijë deri në 1 milion lekë, tarifa për të bërë një akt noterial për të kaluar këtë shume nga një emër në një tjetër duhet të paguash një tarife prej 3 mijë lekësh. Sipas noterëve, kjo shumë llogaritet përpjesëtimisht. Pasi, nëse shuma për të cilën po bëhet akti noterial varion nga 1 milion deri në 2 milionë lekë, tarifa për një kontratë noteriale shkon deri në 5 mijë lekë. Ndërkohë 7500 lekë është tarifa që do të paguajë një person nëse ka shumën nga 2 milionë deri në 3 milionë lekë, i cili do të bëjë një akt noterial për t'i deklaruar ato apo edhe për t'i kaluar në një person të afërm. Por në rast se shuma varion nga 3 milionë lekë deri në 4 milionë lekë, noteri që do të bëjë një akt noterial për këtë shumë, merr në dorë 10 mije lekë. Ndërsa shuma e parave 4 milionë deri në 5 milionë ka një tarifë akti noterial 12 mijë e 500 lekë. Por, nëse shuma e parave që ka një person është mbi 5 milionë lekë, ka një tarifë noteriale deri në 15 mijë lekë.

H. Hasani

23 mije lekë

Është tarifa që do të paguajë një person për të bërë një akt noterial për shumën që posedon, e cila varion nga 10 milionë lekë deri në 15 milionë lekë

150 mijë lekë

Është shuma e lekëve që do të paguajë një pronar, për një akt noterial. Kjo shumë parash për këtë kontratë është për vlerën e objektit mbi 100 milionë lekë

3 mijë e 500 lekë

Është shuma që duhet të paguash për të përpiluar një testament. Por me një kusht, nëse ky i fundit bëhet në zyrë

700 lekë

Është shuma e parave që do të paguajë një person te noteri për të bërë një prokurë për tërheqje pensioni

1500 lekë

Duhet të paguajë një pronar objekti për të bërë një kontrate hipotekimi për pasuri të paluajtshme

2 mije lekë

Duhet të paguajë i punësuari për të bërë një kontratë pune me një punëmarrës

2000 lekë

Duhet të paguajë një person për një akt noterial(pagesa llogaritet për një orë punë) ku tregon se është pjesëmarrës në mbledhjen e ortakëve të një shoqërie tregtare

3000 lekë

Është shuma që duhet të paguash për një akt pjesëtimi pasurie të paluajtshme me dy bashkëpronarë

1500 lekë

Është shuma që do të paguajë një pronar për të bërë një deklaratë te noteri për heqje dorë nga bashkëpronësia

8 mije lekë

Kushton një kontratë që do të paguajë një person te noteri për të vërtetuar këmbimin e pasurisë të paluajtshme

2500 lekë

Është shuma që do të paguajë një qiramarrës për të bërë një kontratë qiraje me pronarin e shtëpisë që do marrë me qira

20 mije lekë

Është shuma e përpilimit dhe vërtetimit të akteve të shoqërive tregtare me përgjegjësi të kufizuar që do paguash te një noter

Tarifë e veçantë për hipotekimin para shitjes

Nuk mund të ketë hipotekim të pronës nëse nuk ke paguar taksën e truallit. Kalimi i të drejtës së pronësisë mbi pasuritë e paluajtshme, tokë dhe ndërtesë, tatohet me 10 për qind të fitimeve kapitale të realizuara. Përjashtim bëjnë vetëm rastet e shkëmbimit të së drejtës së pronësisë mbi tokën me të drejtën e pronësisë mbi ndërtesën e ndërtuar mbi tokë. Individi që kalon të drejtën e pronësisë mbi pasurinë e paluajtshme e paguan tatimin para kryerjes së regjistrimit të kësaj pasurie, në përputhje me aktet ligjore përkatëse. Pasuria e paluajtshme nuk regjistrohet pa provuar pagimin e detyrimit pranë zyrave vendore të regjistrimit të pasurive të paluajtshme. Ndërkohë që “fitim kapital i realizuar” nënkupton diferencën ndërmjet vlerës në shitje dhe vlerës në blerje të pasurisë, ndërtesë apo tokë. Vlera në shitje e pasurisë së paluajtshme përcaktohet në kontratën e noterizuar të shitjes, e cila është firmosur nga palët (shitësi dhe blerësi). Kontrata duhet të shprehë sipërfaqen në metër katror të pasurisë, çmimin për metër katror dhe vlerën e saj. Kontrata duhet të jetë e shoqëruar me hartën, planimetrinë dhe dokumentet e tjera që shërbejnë për regjistrimin e pasurisë së paluajtshme. Në rastet kur individi kalon pronësinë, për herë të dytë e në vazhdim, për efekt të llogaritjes së fitimit kapital të realizuar do të merret diferenca midis vlerës së shitjes dhe vlerës së blerjes e përcaktuar në kontratën paraardhëse.

18 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›