E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shit, shit, shit

Elsa Demo

Gjendja njerëzore e André Malraux, (Çmimi Goncourt 1933) është përzier në mesin e dhjetëra titujve të njërës prej nëntëdhjetë banaqeve të panairit të librit të Tiranës që këtë edicion ka sloganin Të lexojmë së bashku. Malraux e ka kryer një kohë ciklin e komunikimit intensiv me bashkëkohësit, e megjithatë ai është hedhur në banak njëlloj si patrioti i tij Michel Houellebecq (fitues i Goncourt 2010). Houellebecq që prej një dhjetëvjeçari është zë i qëndrueshëm në prozën evropiane, me tre tituj të përkthyer në shqip (përkthimi i Ishulli i mundshëm, u vlerësua më 2011 me çmim kombëtar nga ministria shqiptare e Kulturës), rri në banak si në një vitrinë tortash me qershinë Nobel mbi to: Pamuk, Lessing, Jelinek, Coetzee.

Aktualitetit nga bota, stendat përballë i përgjigjen me autorë shqiptarë të traditës dhe tekste me destinacion programet shkollore.

Botimet Gjergj Fishta nga Lezha që nuk i gjen në Tiranë në stinët e tjera, ekspozojnë tituj të rinj: Nëpër Shqipëri 1883-1907 nga Lavro Mihaçeviq, Libri i vogël i dramatikës nga Stefan Çapaliku, Teatri i Shkodrës nga Josif Papagjoni dhe lajm dite ka botimin e veprës së Gjergj Fishtës në dhjetë vëllime. Por politika ishte në qendër, thotë botuesi nga Lezha që si shumë kolegë të tjerë ndihet sikur ta kenë vjedhur ato stendat e hyrjes qendrore që shisnin mijëra kopje.

Arbëri, përfaqësuesi i botimeve Faik Konica në Kosovë, që vjen çdo vit në këtë panair, mendon pozitivisht për dyndjen e vizitorëve dhe fuqinë blerëse, për organizimin. Të pakënaqur e lë qiraja e stendës me qira, 70 euro m2, që i duket tepër e lartë. Një botues nga Kosova duhet të përballojë edhe shpenzimet e transportit. Faik Konica i kushton rëndësi botimit të autorëve të traditës. Në banak, ndër të tjera, ekspozohen të lidhura kolonat e veprës së plotë të Jusuf Gërvallës dhe Ernest Koliqit.

Pranë tyre janë Botimet Françeskane që vijnë nga Shkodra. Botime të çmuara në fushë të letërsisë, gjuhësisë, albanologjisë. Klodiani, një djalosh që shërben në Bibliotekën Françeskane ekspozon për pak orë disa vepra antikuar të Gjergj Fishtës, botime të viteve 1939-41, një përmbledhje me Anzat e Parnasit, Mrizi i Zanave, një botim i Lahuta e Malcis. Ai thotë se letërsia në gegërisht po njihet e po pranohet dhe panairi shërben për promovim.

Unë e kam lexuar këtë librin tregon një gjimnaziste në drejtim të librit voluminoz Rrno vetëm për me tregue. Unë si marr vesh gjuhën i përgjigjet shoqja. Edhe pse i shtypur nga tjetër shtëpi botuese,  libri rri në këtë kënd ngaqë autori, At Zef Pllumi, është françeskan. Këtu gjen botime të rralla e që ti blesh duhet të udhëtosh deri në Shkodër: Dittionario Italiano-Albanese (1702) botim kritik me hyrje dhe fjalësin shqip përgatitur nga Gëzim Gurga, botime të vitit 2011 Gjurmimi mbi tekstet e vjetra shqipe e shkrime të tjera përkthyer e pajisur me shënime nga Willy Kamsi, Forca e mendimit Mark Zadeja, me lidhje të fortë dhe kopertinë që të vjen mirë ta marrësh në duar.

E ngjitur me këtë pasuri, ia behin botimet e një stende kauzash me klishenë Çamëria e Arbëria ku dominon autori Arben Kondi me romanet Australia ëndërr apo zhgënjim, Barbarët apo Gurra popullore çame, Vrasja e dytë e Marko Boçarit, dhe Djaj nën veladon. Kush e di që në mesin e këtyre librave nuk gjen libra provokativë nga frymë e urrejtjes?

Panairi nuk ka filtra të fusë në hapësirat e veta vetëm botues, dhe as vetëm botues profesionistë.

Libra për grupmoshat parashkollore dhe të rinj, që japin njohuritë bazë për botën e njeriut natyrën, shkencat etj., i gjen te Arba Edition me lidhje të fortë, dizajn të përcaktuar sipas kolanave, një gamë ngjyrash të kontrolluara. Vëllezërit Armand dhe Janaq që e mbajnë këtë shtëpi prej vitesh, e ndajnë misionin promovues të panairit nga misioni tregtues. Qëllimi ynë është promovimi, lidhjet e reja që krijohen me librarë, qendra tregtare. Ne dëshirojmë të ofrojmë çmim të ulët dhe cilësi. Kjo cilësi konsiston në zgjedhjen e temave, në përkthimin cilësor. Ne synojmë një lexues me librin interaktiv që jep njohuritë bazë. Ne jemi të profilizuar te ky lloj zhanri. Problemi kryesor që ndeshin është konkurrenca e shtëpive botuese që funksionojnë pa të drejtat e autorit.

Konkurrentët e tyre vërtet janë rritur ndjeshëm dhe kanë zënë pozitë në aksin qendror të panairit në Pallatin e Kongreseve. Fusha e edukimit të fëmijëve dhe të rinjve zgjerohet e zgjerohet me të ashtuquajtur botues. Në deklaratat e secilit gjen një ambicie të përbashkët: se si të futen në programet mësimore.

Në aksin qendror Dituria, shtëpia botuese e kryetarit të Shoqatës së Botuesve Shqiptarë shet klasikët e mëdhenj për fëmijë Shigjeta e zezë Robert L. Stevenson, Kushtrimi i të parëve Jack London, Gratë e vogla Louisa M. Alcott… Botuesit nuk kanë kufizim për të mos sjellë çfarë kanë në magazina. Sidomos këtë vit që titujt ishin katër herë më pak se vitin e shkuar, 600 kundrejt 2600. Banakët ishin një shumëfishim i gjërave të vjetra. Dituria shkëlqeu me dy botime të reja nga Umberto Eco, Historia e Bukurisë dhe Varrezat e Pragës të cilat zënë kreun e radhës në monitorin e reklamave në hyrjen e Pallatit. Edhe zëdhënësja për shtyp e panairit informon posaçërisht për këto botime të kryetarit të shoqatës. Bashkë me Econ shkojnë dhe titujt seri nga Sophhie Consela, E fiksuara pas dyqaneve vë kurorë, E fiksuara pas dyqaneve për bebe…

Në krah të Diturisë, ekspozon Erik, shtëpi botuese, shtypshkronjë, studio grafike. Sandra Broën me kopertinë lustre: Burri tekanjoz, Mos më dërgo lule, Puthje në agim. Këtë autore e gjen në stenda të tjera me kopertina dhe përkthyes të tjerë. Mbi Sandrën, Erik ka varur Erdhi dita e Arbrit përgatitur nga Klara Kodra, Pse? nga Sterjo Spasse, libra të rinj për parashkollorë si Maçoku me celular nga Astrit Bishqemi, për shkollorë Udhëtarët e rinj, Mësymja e detit nga Zhyl Vern, përkthime të Fatmir Dibrës.

Pegi e shpallur stenda më e mirë grafike nga gazetarët e kulturës (Shoqata e Botuesve zgjedh të votojnë cilët do ajo) ka në mes të hapësirës mindere të ngritura në volum paralelepipedi. Një imtim i çmund të ketë kapur syri diku në panairet jashtë, kënde të cilat do të vlenin për të biseduar me partnerë të ardhshëm. Më shumë dru se letër kjo Pegi. Stenda gjigante kufizohet me afishet e librave PS, Të dua nga Cecelia Ahern, me shënimin Më i shituri në botë dhe Trashëgimia e Stonhenxhit nga Sam Krister me shënimin 5000 vjet histori në një libër që të lë pa frymë. Bestseller ndërkombëtar. Kopertina nxë akoma mizori: Nëse ju ka pëlqyer Kodi i Da Vinçit do e adhuroni këtë libër.

Në boshtin e aleatëve për edukimin e fëmijëve dhe të rinjve Mediaprint prezanton projektin më të madh botues për këtë vit, kolanën Edukim financiar që ka për qëllim tju mësojë moshave nga 8-18 vjeç çështë paraja, çështë banka, çdo të thotë të shkëmbesh. Ky quhet edukimi financiar i orientuar.

Në sheshpushimin e katit të dytë, si në çdo panair, është një çift, ish-punonjës të ndërmarrjes së librit shkollor. Të mbledhur pas tavolinës ata shesin gjithfarë botimesh nga Shqipëria e Kosova. Nga aty ke kaluar për në stendat e njëpasnjëshme të kishës katolike, ortodokse, enteve të fesë myslimane, të vëllazërisë ungjillore, Fondacionit Rumi. Nëpër to është ngatërruar Akademia e Shkencave dhe stenda e Studimeve Albanologjike që ruan pa bërë zë tri botime të reja fare nga Maximilian Lambertz.

Një lexuese shqiptare që jeton në Gjermani duke lënë panairin, tha: Fenomeni i spektaklit smë çudit. Janë në qendër të vëmendjes ata që kanë marrë në dorë strategjinë e promocionit. Jam e mahnitur

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›