Topi: PD-PS, përmbushën me vonesë një detyrim

Presidenti Bamir Topi
Presidenti Bamir Topi ka reaguar mbi marrëveshjen e arritur mes Partisë Demokratike dhe asaj Socialiste. Në një komunikatë të publikuar në faqen e Presidencës, Topi shprehet se dialogu mes dy partive kryesore është një përmbushje e detyrimeve që vjen me vonesë.
Dialogu politik për reformat institucionale, edhe pse i vonuar, përbën një detyrim dhe sfidë madhore për politikën shqiptare, në përpjekjet e vendit tonë për arritjen e standardeve ndërkombëtare të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, shprehet Topi.
Presidenti duke kërkuar një dialog produktiv në mënyrë që të plotësohen 12 prioritetet e progres-raportit të KE-së, ai gjithashtu bën thirrje që ky dialog të jetë edhe gjithëpërfshirës.
Inkurajoj forcat politike parlamentare që të ndërmarrin një proces gjithëpërfshirës dialogu, dhe me vullnet të qartë politik të bashkojnë energjitë e tyre për të realizuar dhe votuar në kohë reformat e premtuara prej tyre dhe ato të cilësuara në Raportin e Përparimit të Komisionit Evropian mbi Shqipërinë, thuhet në komunikatën e lëshuar nga Presidenca.