E Martë, 3 Nëntor 2026

Shitblerja e votës/ OSBE kërkon hetim nga prokuroria për fenomenin

Zgjedhjet e majit përfunduan, por vëzhguesit që i monitoruan ato kanë rezerva.

Në raportin përfundimtar, kërkesa numër një e misionit të OSBE-ODIHR-it është hetimi i të gjitha denoncimeve të bëra për shitblerjen e votave.

Në raportin përfundimtar, OSBE-ja thotë se:

“Organet e zbatimit të ligjit duhet të bëjnë të gjitha përpjekjet për të identifikuar dhe hetuar në mënyrë të pavarur të gjitha akuzat për shkelje zgjedhore, duke përfshirë blerjen e votave, presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e burimeve administrative.“

Ky hetim sipas vëzhguesve duhet bërë në mënyrë të plotë, në kohë dhe në mënyrë transparente.

Gishtin e kritikës, misioni ndërkombëtar e drejton tek autoritetet kur shkruan në raport se ata duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për të rritur ndërgjegjësimin për fenomenin e kahershëm të blerjes së votave dhe për rreziqet që ky fenomen paraqet për integritetin e zgjedhjeve.

OSBE-ja thotë se denoncimi publik i praktikave të tilla para dhe gjatë fushatës duhet të përfshijë këdo pa dallim, edhe pse OSBE-ja është e ndërgjegjshme kur shkruan se zyrtarët shtetërorë dhe drejtuesit e partive mund të shërbejnë si një pengesë e mundshme.

Nga 8 rekomandimet kryesore, OSBE-ja ka vendosur të tretën këshillën se autoritetet duhet të sigurojnë fshehtësinë e votës dhe të parandalojnë frikësimin e votuesve, votimin në grup dhe në emër të përfaqësuesve të caktuar.

Gazetare: Sonila Agostini

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›