E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shitja e Kakomesë, akuza fillonhetimet, gati pyetja e Memisë

TIRANE- Prokuroria e Tiranës fillon hetimet lidhur me shitjen e 290 mijë m2 katrorë tokë në gjirin e Kakomesë, sipërfaqe kjo që është blerë pak kohë më parë nga kompania "Riviera Shpk", ku përfaqësues i saj është shtetasi bullgar 30-vjeçari Jeko Petkov Kolev.

Procedimi penal është regjistruar nga njësia hetimore Task-Forcë, pranë akuzës së kryeqytetit për veprat penale të "Shpërdorimit të detyrës" dhe "Falsifikimit të dokumentave". Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë prokurorisë, të cilat thanë për gazetën "Shqiptarja.com" se prej katër ditë kanë filluar hetimet. Procedimi ka nisur kryesisht, vetëm nga faktet e publikuara në media dhe në parlament nga deputetë të ndryshëm. Burimet thonë se momentalisht hetimi është në fazën fillestare dhe se një grup hetimor tashmë ka filluar të sekuestrojë dokumentacionin në zyrat e ALUIZNI-t, për të parë praktikën e ndjekur lidhur me shitjen e truallit në gjirin e Kakomesë.

Prokurorët thonë se dyshimet më të forta për shpërdorim detyre bien mbi ish-kreun e agjensisë së ALUIZNI-t Shaban Memia, i cili gjatë periudhës së dorëzimit të detyrës, ka firmosur kontratën e shitjes së 290 mijë m2 për një shumë prej gati 3.5 milionë dollarë. Memia është një nga personat që do të pyetet i pari rreth kësaj çështje, pasi mendohet se ai ka bërë shitjen pa një ankand, por vetëm duke u bazuar në një kontratë koncesionare që shteti shqiptar kishte lidhur me kompaninë Riviera Sh.p.k., e cila nuk është zbatuar plotësisht. Shkelje konsiderohet sipas prokurorisë edhe fakti i anashkalimit të familjeve që pretendojnë pronësinë mbi tokën, të cilat nuk janë pyetur fare lidhur me këtë shitje, por në kohë rekord është shitur dhe më pas është rregjistruar në zyrën e pasurive. Pritet që në ditët në vashdim prokuroria të verifikojë çmimin e shitjes së tokës në Kakome, ku nëpërmjet listës së çmimeve të referencës të nxjerë nga qeveria shtiptare për çdo zonë tokësore në vend, të hidhet dritë mbi këtë shitje tepër të dyshimtë. Në se çmimi nuk korrespodon me çmimin e referencës të nxjerë nga qeveria, prokurorët thonë se kjo është një indicie akoma më tepër të të thelluar hetimet rreth kësaj çështje.
(sg/eq/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›