Shitja e diplomave? Hapen hetimet tek universiteti Kristal
Tiranë- Pas zbulimit të skandalit me dosjen e familjes Bossi, brenda së cilës ndodhej edhe diploma e dyshimtë e Renzo Bossit e lëshuar nga një universitet privat shqiptar, Prokuroria e Tiranës ka sekuestruar një sërë dokumentash të universitetit Kristal të cilat do të hetohen për vlefshmërinë e tyre.
Mediat italiane pak ditë më parë zbuluan ndoshta skandalin më të madh të politikës italiane, në të cilin akuzohet ish-kreu i Ligës së Veriut se ka abuzuar me fondet e partisë, madje janë hedhur dyshime se edhe diploma e të birit së Umberto Bossit është blerë në Shqipëri, po me këto fonde.
Por skandali i diplomes së Bossit e lëshuar nga Kristal ka hedhur dyshime edhe mbi vlefshmërinë e një sërë diplomash që ky universitet shqiptar lëshon për studentëvendasdhe të huaj. Burime jo zyrtare nga Prokuroria e Tiranës deklarojnë se organi i akuzës ka bërë regjistrimin penal për falsifikim të dokumentëve zyrtare dhe një proces hetimor ka marrë jetë që prej dyshimeve për vlefshmërinë e diplomës së Renzo Bossit. Nga ana tjetër pak ditë më parë universiteti privat Kristal deklaroi se Renzo Bossi është regjistruar në vitin 2007-2008 në bazë të ligjeve shqiptare në fuqi për arsimin e lartë.
Të dhëna kontradiktore këto kur i ballafaqon me të raportimet e medias italiane e cila tregon me fakte se Bossi e ka marrë diplomën e shkollës së mesme në vitin 2009 dhe në vitin 2010 është diplomuar në Tiranë për administrim biznesi në ciklin e nivelit të parë, 3-vjeçar. Teksa policia deklaron se Renzo Bossi nuk ka shkelur kurrë në tokën shqiptare. I mbetet tashmë prokurorisë të hedhë dritë mbi këtë skandal i cili nëse rezulton i vërtetë do të përdhosë shkollën shqiptare dhe të gjithë ata studentë dhe pedagogë që me institucionet e dijes nuk bëjnë asnjë kompromis.
Kjo është herë e parë që prokuroria investohet në një hetim penal lidhur me dyshimet për abuzime në universitete private. Edhe pse ka patu edhe më parë të dhënë të publikuara nga media shqiptare mbi proceduren e regjistrimit dhe diplomimit të të rinjve në universitete private, u desh publikimi i këtij skandali nga mediat italiane që prokuroria shqiptare të ndërmerrte një hetim.
