E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkim i papranueshëm

Sir Alex Ferguson e ka përshkruar sjelljen e Manchester Cityt në shkarkimin e menaxherit Mark Hughes si të “papranueshme”. Uellsiani ishte shkarkuar menjëherë pas fitores 4-3 ndaj Sunderlandit të shtunën, ndërsa italiani Roberto Mancini u emërua si zëvendësues i tij.

Ndërsa menaxheri i Manchester United ka kritikuar drejtorin ekzekutiv të Cityt, Garry Cook, për mënyrën si është sjellë në këtë çështje. “Ishte sjellje e papranueshme. Për një arsye Krishtlindjet duket se sjellin vendimet më të këqija nga drejtorët”, tha ai.

Ferguson e transferoi ish sulmuesin Hughes për atëkohë rekord të klubit prej 1.8 milionë funtesh nga Barcelona më 1988, ndërsa ky i fundit bëri 256 paraqitje në shtatë vitet që kaloi në Old Trafford. Pas karrierës së suksesshme si futbollist, Hughes hyri në menaxhment me Uellsin dhe Blackburnin, para kalimit në Manchester City në vend të Sven Goran Erikssonit në qershor 2008.

Megjithatë, pronari ambicioz Sheikh Mansour nuk ishte i kënaqur me pozitën e gjashtë në Premierligë, pavarësisht vetëm dy humbjeve në ligë këtë sezon.

“Nuk ka rëndësi nëse keni humbur 20 ndeshje ose dy, ekziston një mënyrë si duhet t’i trajtoni njerëzit. Nuk e di si mund të bëni diçka të tillë. Nga e shtuna në mëngjes qarkulluan spekulime se Mark ishte në dijeni se do ta zhvillojë ndeshjen e fundit. Ishte pozitë e tmerrshme për të”, shtoi Ferguson.

Sjellja e Cookut ndaj shkarkimit të Hughes ishte kritikuar ashpër nga mediet angleze, por ai ka mohuar atë që e quajti “teori të konspiracionit”, duke dënuar shitjen e gazetave në qendrën sportive të klubit.

Hughes, 46 vjeç, ka shpjeguar se nuk kishte marrë paralajmërim për shkarkimin e tij, ndërsa City njoftoi për largimin e tij dy orë pas ndeshjes në Eastlands. “Shpejtësia e emërimit të pasardhësit nënkupton se klubi kishte marrë vendim më herët”, kishte thënë Hughes nëpërmjet një komunikate të publikuar nga Asociacioni i Menaxherëve të Ligës.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›