E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimet nga hidrocentralet, përkeqësohet situata në qarkun e Shkodrës

Niveli i lartë i shkarkimeve të ujit nga portat e shkarkimit të hidrocenmtraleve mbi Drin vazhdojnë të rëndojnë situatën e përmbytjeve në Ultësirën e Shkodrës. Ndonëse ka patur ulje të lehtë intensitetit të shkarkimeve në fushat e NënShkodrës niveli i ujit mbetet i lartë. Mëngjesin e të premtes nga portat fundorë të shkarkimit të Vaut të Dejës shkarkoheshin 1 140 metër kub, ndërsa në mesditë, u vendos që derdhjet të pakësoheshin në 800 metër kub në sekondë. Në total, së bashku me ujin që del nga turbinat, nga Vau i Dejës derdhen 1 350 metër kub në sekondë, sasi kjo që nuk lejon përmirësim të situatës në fusha.

KESH njoftoi se me anë të shkarkimeve të pandërprera ka arritur të ulë nivelin e ujit në liqenin e Vaut të Dejës në 74.4 metra nga 75.3 metër që ishte të enjten. Parashikimet janë që niveli ujit në këtë basen ujore të ulet me 3 centimetra cdo orë. Rënie të nivelit të ujit ka pasur dhe në liqenet e Fierzës dhe Komanit, pothuajse me dy centimetra cdo orë. Shkarkimet e ujrave të papërdorura në këto dy basene ujore kanë ndryshuar pak gjatë dy ditëve, dhe aktualisht janë 500 metër kub ujë në sekondë nga Fierza, dhe 700 metër kub nga Komani.

Ndryshimi i vogël i shkarkimeve ka bërë që situata të jetë e rënduar në fshatrat e Shkodrës. Kështu, qindra shtëpi vijojnë të jenë të rrethuara nga uji, ndërsa të dhënat më të fundit tregojnë për evukuaim të rreth 150 familjeve. Situatë më e qetë hidrike paraqitet ne Ulëz dhe Shkopet, kur prurjet dhe shkarkimet e ujrave kanë rënë në nivele normale.

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare ka njoftuar se prodhimi i energjisë vijon të jetë i pandërprerë dhe makismal nga pesë hidrocentralet. Kështu, nga Fierza, Komani, Vau i Dejës, Ulza dhe Shkopeti prodhohet me kapacitet të plotë me rreth 1200 megavat.

Adi Darsi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›