E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Shkarkimi i Ahmetaj, Berisha: Mund të arratiset! Rama shpëtoi ‘lëkurën’ e vetë për aferën e inceneratorëve

Shkarkimi i Arben Ahmetaj nga posti i zv.kryeministrit, kreu i PD-së, Sali Berisha i zgjedhur nga procesi i zhvilluar nga Rithemelimi e ka lidhur me aferën e inceneratorëve. Sipas Berishës, Ahmetaj është strumbullari i të gjithë kësaj afere, për shkak të njohjeve të tij me Klodian Zoton.

Berishës thotë se Rama me shkarkimin e Ahmetaj ‘lau duart’ dhe e shkarkoi atë me qëllimin e vetëm për të shpëtuar ‘lëkurën’ e vetë.

‘Edi Rama, për të larë duart me krimin e tij të shëmtuar, aferën ndër më të mëdhatë në historinë e vendit, aferën e djegësave, ka shkarkuar Arben Ahmetajn. Me këtë rast, unë duke e konsideruar Ahmetajn një nga eksponentët kryesorë të mafies së djegësve, shtoj se kreu i kësaj afere është një dhe vetëm një. Edi Rama është përgjegjësi numër 1 i vjedhjes monstruoze me aferën e djegësave. Për djegësin e Elbasanit dhe Fierit, ministria e Mjedisit që u përdor për këtë vjedhje, kishte zero lekë në buxhetin e saj. Paratë e djegësave u morën nga fondi i emergjencave të Këshillit të Ministrave. Ky fond përdoret vetëm në rastin e katastrofave natyrale dhe fatkeqësive të mëdha natyrore”, tha Berisha.

Berisha shtoi gjithashtu se shkarkimi i Arben Ahmetaj u bë që ai të arratisej.

‘Arben Ahmetaj, në vitin 2005, është arratisur disa vite në Rumani, ku kërkonte azil. Tani ai e liron nga detyra vetëm e vetëm që ai të largohet. Me këtë rast, unë i them Edi Ramës, se edhe në ata satelitët që ke porositur, të shkojë, do bëhet përgjegjës para shqiptarëve për këtë aferë dhe aferat e tij. E njëjta gjë vlen për Arben Ahmetajn, shko edhe prapa diellit. Por nuk do kesh shpëtim më. Kjo aferë për popullin opozitar është për jetë a vdekje’, tha Berisha.

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar se Arban Ahmetaj nuk do të jetë më zv.kryeministër dhe në vend të tij do të emërohet Belinda Balluku. Sipas Ramës ky zëvendësim ndodh pasi fokusi i qeverisë nuk do të jetë më rindërtimi që është drejt përfundimit, por sfida energjetike dhe infrastruktura.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›