E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kuvend, Bajram Begaj betohet si Presidenti i 8-të i Shqipërisë

Bajram Begaj, sapo është betuar në Kuvendin e Shqipërisë, si Presidenti i 8-të i Shqipërisë. Ai do të zëvendësojë në këtë post presidentin në largim, Ilir Meta. Në seancë e betimit merrnin pjesë deputetë të shumcicës, si disa nga të PD-së dhe opozitës. 

Presidenti Begaj, në fjalën e tij para deputetëve si Presidenti i ri i Shqipërisë, nënvizoi se është nder për të t’i drejtohet Kuvendit, si Presidenti i ri i vendit.

“Përgjegjësia vjen në një moment historik për vendin tonë. Shqipëria jonë e dashur ka hyrë në rrugë të pakthyeshme evropiane. Trashëgimia e dilemave i takon të shkuarës. Është përmbushja e projekteve shekullore të vendit. Shqipëria evropiane është e Gjergj Kastriotit dhe Nënë Terezës, e qytetarëve që kanë dhunti e zotësi për të fituar në një shoqëri të bazuar mbi meritën.E njoh dhe e respektoj punën e qeverisë, por nuk justifikohet asnjë dështim. Mbështes dhe e respektoj opozitën, por të mos shihet konflikti përpara bashkëpunimit e të mos lutet dështimi përpara gjetjes së zgjidhjeve”, tha Begaj.

Presidenti Begaj nënvizoi në fjalën e tij se angazhimi i marrë në betim është udhërrëfyesi i tij i vetëm dhe se nuk do të tolerojë askënd që të vendosë interesat e tij personale, përballë interesave të kombit tonë. Presidenti theksoi se me vendimet përmes unitetit, vendi do të shkojë përpara.

“Do të insistoj gjithmonë për bashkëpunim mes forcave politike. Konflikti nuk është shërbyes i mirë! Të krijojmë ura lidhëse midis shtetasve dhe shetit. Vendi ka nevojë për unitet dhe të gjithë bashkë ta bëjmë Shqipërinë edhe më të bukur”, tha ai.

Programi i ceremonisë në presidencë

18:45 – 19:15- Mbërritja e të ftuarve

19:15 – Mbërritja e Presidentit të Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj në Presidencë

19:29 – Presidenti i Republikës SH.T.Z. Bajram Begaj bashkë me ish-Presidentin e Republikës SH.T.Z. Ilir Meta, dalin nga Presidenca dhe zënë vend në tribunë

19:30 – Luhet Himni Kombëtar nga Orkestra Frymore e Forcave të Armatosura, shoqëruar nga 21 të shtëna topi

19:35 – Znj. Vitore Tusha, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese i dorëzon Presidentit, Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

19:40 – Fjala e Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Bajram Begaj.

19:50 – Largimi i ish-Presidentit të Republikës, SH.T.Z. Ilir Meta

19:53 – Komandanti i Truprojës së Nderit i Forcave të Armatosura i paraqet forcën Presidentit. Kalim në revistë i Presidentit.

19:58 – Presidenti i shoqëruar nga familja hyjnë në Presidencë

20:00 – Pritje zyrtare në oborrin e Presidencës.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›