E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkarkimi i Muhos, jep dorëheqjen nënkryetari i KQZ-së Denar Biba

TIRANË- Dorëhiqet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, nënkryetari Denar Biba, përfaqësuesi i Partisë Socialiste në këtë komision.

Mësohet se Biba ka dhënë sot dorëheqjen e tij të parevokueshme nga ky post, pas vendimit të djeshëm të Kuvendit për të shkarkuar anëtarin e LSI-së në komision Ilirian Muho.

Deklaratën e dorëheqjes së tij e ka zbardhur gazetari i News 24 Arbër Hitaj. Në këtë deklaratë për shtyp Denar Biba e cilëson shkarkimin e djeshëm të anëtarit të KQZ-së një akt të rëndë që cënon institucionet e pavarura.

“Dje, shumica e rastit e deputetëve të Kuvendit, duke votuar shkarkimin e një anëtari të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me vetëdije apo nga papërgjegjshmëria, kreu një akt jashtëzakonisht shumë të rëndë në dëm të parimeve themelore të ndarjes së pushteteve, konstitucionalizmit dhe shtetit të së drejtës. Përtej argumenteve mbi nevojën për të balancuar politikisht KQZ, ky akt tregoi qartësisht dhe pa asnjë dyshim mungesën e plotë të vullnetit për të ndërtuar institucione të pavarura në Shqipëri. Sepse misioni i parë dhe i fundit i tyre nuk duhet të jetë ndërtimi i institucioneve të balancuara, por i institucioneve të pavarura”, shprehet Biba. 

Në deklaratën e tij Biba sqaron se arsyet e dorëheqjes së tij kanë të bëjnë me faktin se anëtarët e KQZ nuk kanë mbrojtjen e duhur ligjore, por trajtohen thjesht si anëtarë të rëndomtë partie.

“Megjithëse të propozuar nga struktura parlamentare e të votuar me shumica që tejkalojnë ngjyrimet partiake në Kuvend, dje, ne u trajtuam si anëtarë të rëndomtë partie, duke na fyer, e madje, ndonjërin edhe duke e cenuar në nderin e dinjitetin e tij personal e profesional. Në rrethana si këto, kur mbrojtja ligjore e institucionale që supozohej se e kishim të garantuar si anëtarë të institucionit të ngarkuar nga ligji për tu dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira e të ndershme është përdhosur haptazi, vlerësoj se duhet të jap dorëheqjen nga detyra e Zëvendëskryetarit dhe njëherësh anëtarit të Komisioni Qendror të Zgjedhjeve. Populli ynë e meriton demokracinë dhe shtetin e së drejtës, ndaj ne nuk mund të tallemi duke i serviruar atij një KQZ si teatër marionetash, në duart e politikanëve”, thotë ai më tej. 

“Le të shërbejë ky akt vullneti personal i imi si nxitje për reflektim për secilin nga ju. Përfitoj nga rasti t’iu drejtohem bashkëqytetarëve të mi: mos harroni, forca e pushtetit të popullit është më e madhe se forca e ca njerëzve në pushtet”, mbyll Biba deklaratën e tij.
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›