Tiranë, atentat me armë zjarri, biznesmeni në gjendje kome
Një biznesmen nga Tirana ka rënë pre e një atentati me armë zjarri mbrëmjen e sotme. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 20:05, brenda një lokali pranë Gardës, në hyrje të liqenit Artificial në Tiranë, në një kohë kur zona ishte e mbipopulluar. Sipas policisë Lulëzim Koka është qëlluar katër herë me armë zjarri nga i ri, ende i paidentifikuar.
Koka është dërguar me urgjencë për në spitalin ushtarak, nga ku mësohet se ai ndodhet në koma klinike nga plagët e marra në kokë. Në ngjarje ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili mendohet se është punonjës garde. Ai ka qenë pranë tavolinës së biznesmenit dhe ka mbetur i plagosur në këmbë nga plumbat që janë derdhur mbi Kokën. Policia ka thënë se personi që u qëllua me armë është pronari i një firme betoni.
Sipas pohimeve të dëshmitarëve, mes autorit dhe biznesmenit nuk ka pasur ndonjë konflikt të dukshëm verbal çka përforcon pistën e një atentati të përgatitur. Ndërkohë dëshmitarët kanë sqaruar se autori ka qenë i veshur me tuta sportive dhe bluzë të kuqe. Pas ngjarjes ai ka vrapuar drejt kodrave të liqenit, duke përfituar edhe nga errësira. Policia po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe kapjen e autorit.
16 prill 2013 (gazeta-Shqip.com)
Tiranë, atentat me armë zjarri, biznesmeni në gjendje kome burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta SHQIP Abonohuni me Email
