Shkarkimi im, interes personal

Theodhori Sollaku vlerësoi dje qëndrimin e pasardhëses së tij, Ina Ramës, për raporton vjetor të punës së Prokurorisë së Përgjithshme, që rrjedhimisht konfirmoi (sipas Sollakut), karakterin politik dhe motivet e tilla që e shkarkuan pas dy komisioneve hetimorë kuvendarë. Në një intervistë për “Korrierin”, Theodhori Sollaku, ish-Prokuror i Përgjithshëm, komenton situatën politike dhe institucionale në vend, por edhe akuzat që iu bënë përpara se të shkarkohej. “Të gjithë tashmë e kanë të qartë, që zëvendësimi im nuk kishte të bënte me faktin se nuk punohej, por ishte një çështje interesash personale, ku drejtuesit e sotëm nuk ndiheshin komodë me Sollakun si Prokuror të Përgjithshëm”, - thotë ai. Doktor i Shkencave Juridike dhe dekan i Fakultetit të Drejtësisë në universitetin “Marin Barleti”, Sollaku hedh poshtë mundësinë e ekzistencës së dosjeve të quajtura “të pahapura”. Sipas Sollakut, akuzat se ai mbante dosjet e politikanëve të pahapura për shkak të interesave nuk qëndrojnë, aq më tepër që pasardhësja e tij, Ina Rama, ende nuk ka folur. Sollaku thotë shkurt se “është “non sens” të mendosh se prokuroria ka pasur apo ka dosje të pahapura” dhe se “nuk është detyrë e pasardhëses të bëjë avokatin e paraardhësit të saj, për më tepër që pretendime të tilla ishin të natyrës politike dhe nuk kishin asnjë bazë”. Lidhur me ngjarjen e Gërdecit, Sollaku shprehet se hetimi kërkon kohën e nevojshme për të sqaruar çdo pistë, ndërsa beson se rezultati do të jetë objektiv. Ndërkaq, debatet politike lidhur me emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë, sipas tij, vijnë si pasojë e mungesës së traditës së funksionimit të demokracisë kushtetuese. Sollaku nuk e sheh si zgjidhje çuarjen e kritereve nga partitë politi
-Si e vlerësonin debatin lidhur me dekretet e Presidentit për emërimin e pesë anëtarëve të Gjykatës së Lartë?
Theodhori Sollaku: “Unë mendoj se debatet e fundit lidhur me emrat e anëtarëve të Gjykatës së Lartë lidhen me mungesën e një tradite të konsoliduar të funksionimit të demokracisë kushtetuese në Shqipëri. Në aspektin formalo-ligjor, mendoj se nuk ka ndodhur ndonjë gjë për t’u shqetësuar, pasi Presidenti dhe Kuvendi kanë ushtruar kompetencat e tyre kushtetuese. Por, duke qenë se emërtesat kanë konsekuenca politike, palët besoj se kanë kuptuar që nuk mjafton vetëm plotësimi i anës ligjore, por i duhet kushtuar kujdes edhe komponentit politik, që do të thotë zhvillimi i bisedimeve midis Presidentit dhe Kuvendit në arritjen e një mirëkuptimi të mundshëm për kandidaturat. Përfshirja në emërim i dy institucioneve kryesore politike të vendit kërkon domosdo bisedime, kompromise dhe mirëkuptime, pa të cilat nuk mund të kuptohet vetë politika. Natyrisht, mund të ndodhë që mirëkuptimi të mos arrihet 100 për qind, apo të mos arrihet fare, për shkak të interesave të ndryshme të palëve, por gjithsesi është i pashmangshëm”.
-Presidenti ka ngritur një grup pune dhe u ka kërkuar partive të dërgojnë kriteret e përzgjedhjes, ndërsa emrat do t’i vendos vetë. Si e vlerësoni këtë lëvizje të kreut të shtetit?
“Unë mendoj se ngritja e grupit të punës me juristë është pozitive, por nuk zgjidh problemin. Kandidaturat e para dështuan, jo se u mungoi respektimi i komponentit ligjor, por u mungoi elementi politik, përpjekjet për kompromis. Futja në lojë e partive parlamentare nëpërmjet shkresave të administratës së Presidencës është një humbje kohe, sepse kriteret jashtë atyre ligjore mund të jenë të pafundme. Mesa duket palëve nuk u ka zbritur ende inati dhe vazhdojnë të respektojnë formalisht njëra-tjetrën në komunikimin shkresor. Por, gjykoj se kjo mënyrë sjelljeje nuk zgjidh problemin, për më tepër po të lexosh përmbajtjen e tyre. Përkundrazi e çon atë në kalendat greke. Të propozosh si kriter që kandidatët nuk duhet të kenë ndihmuar kriminelë, do të thotë të mos jesh serioz, sepse po të jetë kështu, kandidati duhet ta ketë vendin në burg dhe jo në Gjykatën e Lartë. Nëse është fjala për pafajësi të dhëna nga gjyqtarë apo mbrojtje nga avokatë edhe të atyre që quhen kriminelë, kjo është detyrë funksionale e gjykatës dhe e avokatisë dhe nuk mund të jetë kriter skualifikues për këtë kategori juristësh”.
-Sipas jush, marrja paraprakisht e mendimit të Kuvendit është e domosdoshme?
“Duhet të kemi të qartë që si Kuvendi, ashtu dhe Presidenti janë institucione politike. Pra, duam apo nuk duam ne, emërimi është edhe politik. Pas këtij momenti, politika nuk ka më punë me këta gjyqtarë. Ata janë të pavarur në vendimmarrjen e tyre, pavarësisht simpative partiake, pavarësi kjo që garantohet me Kushtetutë. Mund të biesh dakord me lehtësi për të emëruar një gjyqtar, por e ke shumë të vështirë, për të mos thënë të pamundur që ta heqësh nga detyra, për shkak të garancive shumë të forta kushtetuese. Është shumë më pozitive që pëlqimi të jepet politikisht nga një shumicë, sesa kandidatët të bëjnë lobingje në mënyrë individuale në Kuvend, të cilat arrihen duke joshur apo duke u premtuar deputetëve në të ardhmen. Pra, do të kemi një gjyqtar që u detyrohet në të ardhmen deputetëve të veçantë që u shkëputën nga vendimi politik i grupit të tyre dhe i dhanë votën. Mendoj se kjo është shumë e dëmshme. Për fat të keq, kjo gjë ka ndodhur tek ne, por nuk duhet të inkurajohet”.
-Një vlerësim për ndryshimet kushtetuese që u miratuan me një shumicë prej 115 deputetësh